​Kamberi: Gjykata në Beograd i jep të drejtë fyerjeve të Vulinit ndaj shqiptarëve

​Kamberi: Gjykata në Beograd i jep të drejtë fyerjeve të Vulinit ndaj shqiptarëve

Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, njofton Insajderi.

Kështu ka njoftuar deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, i cili tha se me këtë vendim është institucionalizuar fyerja ndaj shqiptarëve.

“Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Slobodan Millosheviqit.

Kamberi tutje ka ftuar autoritetet ndërkombëtare që të reagojnë për këtë.

“Ftoj autoritetet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të rajonit, që të reagojnë ndaj Beogradit për ta ndaluar institucionalizimin tashmë edhe juridik të gjuhës së urrejtjes ndaj minoriteteve në Serbi.Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë në Beograd është precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ndër të tjera ai./Insajderi.com

GJYKATA SERBE I JEP TË DREJTË FYERJES INSTITUCIONALE NDAJ SHQIPTARËVE!

TË REAGOJNË BE, SHBA DHE VENDET E RAJONIT, NDAJ…

Posted by Shaip Kamberi on Monday, February 8, 2021