​Krasniqi e KDI-së: Për dialogun po mungon konsensusi edhe në koalicionin qeverisës

​Krasniqi e KDI-së: Për dialogun po mungon konsensusi edhe në koalicionin qeverisës

Njohësja e çështjeve politike në vend, Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka komentuar rreth emërimit të Skënder Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, vetëm dy ditë para se të zhvillohet takimi në Bruksel dhe në lidhje me mospërkrahjen e partnerëve të koalicionit qeverisës.

Krasniqi thotë se mbetet shqetësues fakti se Hyseni u emërua vetëm dy ditë para se të zhvillohet takimi, për çka deklaron se vihet në pikëpyetje se a ka mundur ai të përgatitet për këtë takim.

Përveç kësaj, sipas Krasniqit edhe mungesa e konsensusit të brendshëm për këtë proces po e dobëson pozitën e Kosovës.

“Ai u emërua vetëm disa ditë para se të mbahej takimi në Bruksel dhe patjetër mbetet si çështje shqetësuese fakti se sa ka mundur ai të përgatitet për këtë takim dhe se ka qenë ai i integruar në proces më përpara për ta kuptuar në fakt se ku ka qenë procesi dhe ku është duke shkuar. Në të njëjtën kohë duhet të kemi pak më shumë sqarime rreth asaj se cilat janë pozicionet e Kosovës dhe nëse ka Kosova pozicione për tema të caktuara… A do arrijë z.Hyseni që të bëjë koordinimin edhe mes partive politike edhe me faktorin ndërkombëtar siç përshkruhet në detyrat e tij, duke e ditur që z.Hoti si kryeministër nuk ka arritur ta bëjë. Prandaj, ka shumë pikëpyetje të cilat nuk duhet të lidhen me një emër të caktuar, po me një proces. E duke e ditur se sa i rëndësishëm është ky proces duhet të kërkohet që të ndërtohet një konsensus”, thotë ajo për KP.

Duke qenë se emërimi i koordinatorit u prit me skepticizëm nga partitë politike në vend, përfshi edhe ato pjesë e koalicionit qeverisës, Krasniqi thotë se do të ishte dashur të kishte një dakordim paraprakisht për këtë çështje.

“Fakti që nuk kemi një konsensus të brendshëm politik, në të cilin nuk është e përfshirë opozita, por shkon deri aty mungesa e konsensusit edhe brenda partnerëve të koalicionit. Do të thotë që në fakt ne jemi në pozitë shumë të dobët, sepse ne e kemi të vështirë ta shtyjmë një proces kaq të rëndësishëm përpara që kërkon në fund të fundit 2/3 e votave ku nuk ka një konsensus as brenda qeverisë po as me opozitën”, deklaroi ajo. /Insajderi.com/