​Mbahen konsultimet e para me Izraelin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

​Mbahen konsultimet e para me Izraelin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar takimin e parë konsulativ me Ministrinë e Punëve të Jashtme izraelite, njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryediplomatja kosovare, Haradinaj-Stublla, e cila tha se në takim janë diskutuar detajet për vënien e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj-Stublla, tutje theksoi se në këtë takim është diskutuar edhe për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Kisha nderin të hap takimin e parë zyrtar konsultativ ndërmjet Drejtorive të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, në të cilin u diskutua për detajet e vendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, gadishmërinë për ndërtimin e marrëdhënieve të plota në të gjitha fushat, si dhe për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në postimin e ministres.

Shefja e diplomacisë informoi se gjatë muajit të ardhshëm pritet të realizohet edhe vizita e parë zyrtare e delegacionit të Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit. /Insajderi.com