
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me anë të një reagimi për media, thotë se ka pranuar shqetësime të shumta nga kolegët gazetarë për mungesën e zëdhënësit në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti, njofton Insajderi.
Siç theksohet nga AGK, po mungon komunikimi i duhur në mes qeverisë dhe mediave pasi që nuk ka një adresë zyrtare politike se ku t’i drejtojnë pyetjet e tyre.
“Mos emërimi i një zëdhënësi të qeverisë edhe pas pesë muajve të formimit të saj për AGK-në është praktikë e gabuar dhe duhet të ndërpritet”, thuhet në reagim.
AGK-ja i kërkon Qeverisë Hoti që sa më parë ta emërojë një zëdhënës në mënyrë që të jenë sa më transparent, jo vetëm ndaj gazetarëve, por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës. /Insajderi.com