​“Thirrjet e nënave” me kallëzim penal kundër kriminelëve serbë

​“Thirrjet e nënave” me kallëzim penal kundër kriminelëve serbë

Derisa ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë familjarë, ende bredhin rrugëve duke kërkuar drejtësi për më të dashurit e tyre.

E, sot përfaqësuese të shoqatës “Thirrjet e Nënave”, kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal kundër kriminelëve serbë.

Ato kërkojnë që ky kallëzim penal, të merret seriozisht. Sipas tyre, këta të fundit nuk kanë bërë mjaftueshëm për të pagjeturit.

Tash e 20 vjet, ajo lutet për fatin e djalit të saj të zhdukur. E, që nga ajo kohë, Nysrete Kumnova ka bërë thirrje të vazhdueshme, që një ditë të zbardhet fati i të birit të saj. Lutje të njëjtë, kanë bërë edhe shumë nëna, të cilat nuk dinë ende për fatin e më të dashurve të tyre.

Nysrete Kumnova e Luljeta Sharani, nga shoqata” Thirrjet e Nënave”, kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal kundër kriminelëve serbë.

Në këtë prokurori kanë dorëzuar edhe një kopje të librit “ E vërteta për krimet serbe”, libër ky me dëshmi të mbledhura nga vet familjarët e të pagjeturve.

Kumnova: Në këtë libër janë 148 të rrëmbyer

“ Në emër të ‘Thirrjeve të Nënave’, dorëzuam një kopje të librit me dëshmi të mbledhura nga familjarët e të pagjeturve, që janë konsideruar të zhdukur dhe dëshmitë janë të drejtpërdrejta të familjarëve. Dhe menduam të bëjmë kallëzim penal ndaj kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë, në popullatën e pafajshme shqiptare. Në këtë libër janë 148 të rrëmbyer, të zhdukur emrat konkretë, dëshmitë janë konkrete, të mbledhura nga dora e parë, nga familjarët e të pagjeturve, dhe kemi rrumbullaksuar, në libër janë të gjitha dhe i dorëzuam në Prokurorinë Speciale në mënyrë që kriminelët të zihen, dhe të dalin para drejtësisë ”, tha Kumnova.

Pas dorëzimit të padisë, ajo ka shpresuar që këta kriminelë serbë, të marrin dënimin e merituar. E për këto 20 vjet pritje, ajo tha se kanë pasur takime të bollshme me institucionet vendore, mirëpo sipas saj pak është bërë në këtë drejtim, duke bërë fajtor vet këta të fundit.

Kumnova: Presioni ju mungon institucioneve vendore dhe ndërkombëtare

“Për t’u zbardhur fati i të pagjeturve lëvizjet janë të vogla, sepse ata mbahen peng padrejtësisht në Serbi apo në varreza ku janë, sepse presioni iu mungon i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, tha Kumnova.

Luljeta Sharani, nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, është lutur që ky kallëzim penal të merret seriozisht.

Sharani: Presim që ky kallëzim penal që të shpejtohet

“Njëzet vjet u bënë, u bënë shumë, por ende duke pritur për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë, një numër i konsiderueshme janë kthyer, mirëpo kanë mbetur edhe 1600 ende të pakthyer, presim nga kjo prokurori të bënë dënimin dhe t’i thërret të gjithë ata kriminelë të cilët bënë krime, bënë çdo gjë çfarë patën të mundur ta bëjnë. Ne kërkojmë nga ta shpejtojnë këtë kallëzim penal që e dorëzuam, jo të ngecet me vite të tëra, sikur që jemi duke pritur që një 20 vjet, mos të presim më, sepse familjarët kanë filluar të lodhen”, tha Sharani.

Sharani po ashtu ka kërkuar nga shteti serb dëmshpërblimin për të gjitha këto krime që kanë bërë në Kosovë, gjatë luftës së fundit.

Ajo tha se numri i personave të akuzuar për këto krime, është shumë i madh, për të cilët dëshmojnë edhe vet familjarët, për çka tha se komuna e Gjakovës ka akuza të bollshme ndaj agresorit serb.

Se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për fatin e të pagjeturve, e tha edhe Sharani.

Sharani: Nuk kanë bërë mjaftueshëm institucionet e vendit

“Nuk kanë bërë, vet fakti të bënë me kuptu qe 20 vjet jemi duke bredhur rrugëve, shihet rezultati se çfarë kanë bërë ata”, thotë Sharani.

Për këtë libër, Kumnova dhe Sharani kanë treguar është punuar tri vjet që të mblidhen të gjitha dëshmitë, ku secili familjar ka rrëfyer për përjetimet e tyre.

Përfaqësueset e nënave nga Gjakova lusin institucionet e vendit që të bëjnë më shumë, në mënyrë që të zbardhet fati i familjarëve të tyre, e jo të mbetet enigmë.