Kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli e panë veten në një drekë me muzikë live në Gjakovë, vetëm disa orë pasi kishin marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të Betejës së Koshares. Por, nga dita e shënimit të kësaj beteje erdhi edhe një rrëfim tjetër; ai i familjarëve që kujtuan me dhimbje e mall të afërmit e tyre që dhanë jetën për liri 19 vite më parë.
Nurabie Ademaj shkon çdo vit më 9 prill në fshatin Koshare të Gjakovës, ku merr pjesë në ceremoninë përkujtimore të Betejës së Koshares. Atje ndodhet varri i djalit të saj, Kreshnikut, i cili ra për liri në këtë betejë kur kishte qenë vetëm 17-vjeç.
“Gjithmonë ka pasur dëshirë. Ka thanë gjithë: ‘po du me shku, po du me shku’. S’kemi mujt me e ndalë”, thotë nëna e saj kur rrëfen ngjarjen e djalit të saj, teksa lotët i dalin nga sytë.
Jo vetëm Nurabija, por edhe familjarët e dëshmorëve të tjerë të Betejës së Koshares mblidhen për cdo vit në këtë ceremoni përkujtimore për të kujtuar me dhimbje e mall të afërmit e tyre që dhanë jetën në Koshare 19 vite më parë.
Atje shkojnë edhe liderët e lartë shtetëror. Madje ceremonia mbahet nën patronatin e Qeverisë së Kosovës.
Në ceremoninë përkujtimore të Betejës së Koshares sot ishin të pranishëm kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, raporton Gazeta Online Insajderi.
E pasi përfundoi ceremonia përkujtimore, rrugët e familjarëve të dëshmorëve të Koshares dhe ato të liderëve të lartë shtetërorë u ndanë. Familjarët morën rrugë drejt shtëpive të tyre, ndërkaq liderët shtetororë u bashkuan sërish në Gjakovë disa orë më vonë.
Ata i bashkoi këngëtari i muzikës folk, Shkelzen Jetishi, i cili i ftoi në drekë Haradinajn, Thaçin e Pacollin. Madje, ai i shtroi mish liderëve e ia “krisën” këngës, vetëm pak orë pasi morën pjesë në përkujtimin e dëshmorëve të Koshares.
Për të parë videon: https://video.gjirafa.com/insajderi?video=dreka-e-xenit-per-haradinajn-thacin-e-pacollin
Në një video të publikuar në rrjetin social Facebook nga djali i Shkëlzen Jetishit, Korabi, shihen tre liderët teksa konsumojnë ushqimin e drekës në restorantin “Xeni Imperial”. Por, përveç kësaj, disa nga të pranishmit në drekën e liderëve, kanë shkelur Ligjin për Duhanin.
Neni 11/ Pika 1 e “Ligjit për Duhanin” thotë se ndalohet pirja e duhanit në: 1.1. hapësirë publike; 1.2. hapësirë të punës; 1.3. mjetet e transportit publik; dhe 1.4. hapësirat e hapura të përcaktuara në paragrafin 3. të këtij neni.
Në një moment, këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj shihet teksa konsumon duhan në ambient të mbyllur, teksa paketa të cigareve shihen gjithandej në tavolinën e drekës.
Ndonëse, pamjet e shfaqnin ministrin Pal Lekaj – i cili ishte po ashtu pjesëmarrës në drekë – duke i dhënë para bakshish orkestrës së restorantit, drekën në tërësi e pagoi pronari Shkelzen Jetishi.
Menaxherja e lokalit i ka thënë Insajderi se pagesa e drekës së ngrënë nga krerët e vendit është kryer nga vetë restoranti, dhe se aty nuk ka paguar askush. “Kjo ka qenë një darkë private dhe krerët e vendit kanë qenë mysafir tanë në restorantin ‘Imperial Xeni’”, ka thënë menaxhmenti i restorantit. /Insajderi.com