10 ditë – nesër përfundon ultimatumi, kush do të lëshojë pe Kurti apo Mustafa?

10 ditë – nesër përfundon ultimatumi, kush do të lëshojë pe Kurti apo Mustafa?

Albin Kurtit, të mandatuarit për kryeministër, i kanë mbetur vetëm dhe 10 ditë për krijimin e qeverisë, ndërsa vetëm një ditë për ta kryer ose jo marrëveshjen me Isa Mustafën.

Kështu do të ndodhë nëse LDK i rri mbrapa ultimatumit të dhënë ditë më parë.

“Ne kemi dhënë një propozim që vlerësojmë se është shumë i balancuar që mendojmë se VV duhet ta trajtoj me vëmendje të veçantë dhe mbetemi të hapur që të ulemi të bisedojmë por ajo bisedë të ketë një përfundim me të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, tha isa Mustafa para medieve në fillim të javës, shkruan Insajderi.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa pritet të takohen nesër për t’i prezantuar njëra-tjetrës ofertat më të reja që në të njëjtën kohë konsiderohen ofertat e fundit për arritjen e marrëveshjes së bashkëqeverisje.

Gazeta Insajderi merr vesh se përgjigja për pranimin apo mos pranimin e tyre, do të jep epilogun e marrëveshjes apo dështimit të bisedimeve tre mujore ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje si partia e parë dhe LDK-së si parti e dytë.

Ndërkohë u tha se Kurti dhe Mustafa kanë bërë përpjekje gjatë gjithë natës se mbrëmshme për të arritur një marrëveshje për koalicionin.

Lajmi nuk është mohuar apo pohuar nga asnjëra parti gjatë gjithë ditës.

Megjithatë Gazeta Insajderi ka mësuar se Albin Kurti me disa kolegë të tij ka qëndruar në shtëpinë e Isa Mustafës në Prapashticë ku kanë negociuar mundësitë për të dal nga ngërçi politik.

Burime të Gazetës Insajderit brenda procesit kanë treguar se negociatat kanë qenë të vështira dhe nuk është arritur marrëveshje.

Ku ngeci marrëveshja për “koalicionin e shpresës?

Duket se takimi i fillimit të dhjetorit ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës “përçau” Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Dy partitë që tash e një kohë po tentojnë bashkimin për bashkëqeverisje, atë ditë nuk arritën të dakordoheshin kur erdhi puna te ndarja e posteve.

Pikërisht në atë moment – nisi saga VV-LDK – që tash e sa kohë s’ka fund, shkruan Insajderi.

Isa Mustafa, pasi që zgjodhi i pari ministrinë e Punëve të Brendshme, njëra nga ministrit të cilën vazhdimisht e kërkonte Vetëvendosje, e vuri si kusht edhe pozitën e të parit të shtetit.

Përçarja u thellua edhe më shumë, kur për postin e kryeparlamentarit u nominua Glauk Konjufca, i cili më pas mori edhe votat e LDK-së, ndonëse ku nominim kishte ndodhur pa dijeninë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Po pa dijeninë e Isa Mustafës, Albin Kurti përmes një video bëri të ditur edhe emrat e ministrave nga partia e tij.

Por, pas katër takimeve të pasuksesshme, në të cilat arrinin vetë të pajtoheshin që të takohen prapë, Kurti më 14 janar një ofertë të fundit siç thanë ata, përmes së cilës i propozonte Lidhjes Demokratike të Kosovës rritjen e numrit të ministrive.

Gazeta Insajderi e publikoi këtë ofertë, përmes së cilës LVV do të mbante pozitën e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e 2-të, një nënkryetar Kuvendi dhe 5 ministrit që ishin marrë vesh më parë. Derisa LDK-së ia lenin, zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri dhe dy zv.ministra më shumë.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhej tutje në propozim, shkruan Insajderi.

Pas një dite, Lidhja Demokratike e Kosovës, po me shkrim i është përgjigjur propozimit të Vetëvendosjes.

Isa Mustafa, insiston të marrë pozitën e kryeparlamentarit që zyrtarisht nga 26 dhjetori e ushtron Glauk Konjufca.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës)”, thuhet në propozimin e LDK-së, shkruan Insajderi.

Lidhja Demokratike, nuk është pajtuar as me rritjen e numrit të ministrive.

“Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët”, thuhet më tej në propozimin e LDK-së.

Mbetët të shihet deri në fund të javës dy liderët do ta bëjnë “hapin e madh”, apo gjithçka do të kthehet përfundimisht në “fillim”?/Insajderi.com