Fakti që ministri i ri i Bujqësisë që vjen nga Lista Serbe, Nenad Rikalo ka qenë dikur në një bord me ish-liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, bëri bujë duke quar edhe në reagimin e vet Kurtit i cili tha se këtë pohim, Rikalo e ka bërë të ditur me kërkesë të koalicionit qeverisës me qëllim që ta dëmtojë atë.
Kurti mohon të ketë punuar me Rikalon, thotë se ai po e bën argatin e qeverisë e sidomos të PDK-së
Por një tjetër këndvështrim vjen nga Serbia.
Partia Radikale Serbe (SRS) ka tërhequr vërejtjen sot se pas “vendimit të turpshëm të Beogradit që të mbështesë hyrjen e Listës Serbe në Qeverinë e kriminelit të luftës, Ramush Haradinaj” është veçanërisht ‘skandaloze’ zgjedhja e Nenad Rikallos ministër të Bujqësisë në atë qeveri, raporton agjencia serbe e lajmeve, FoNet.
Në kumtesë, sipas këtij burimi, Radikalët bëjnë me dije se Rikallo, siç e ka pranuar vetë, është mik i liderit të ekstremistit shqiptar Albin Kurti dhe se katër vjet ka qenë anëtar i Bordit të Fondacionit Soros, bashkë me Shpend Ahmetin, Ilir Dedën dhe “intelektualë të tjerë nga Prishtina”.
Nga këto arsye SRS pyet presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë ishte prezantuar si “zëri dhe imazhi i Listës Serbe”, si do të mbrojë Rikallo interesat e popullit serb në Kosovë.
Posaçërisht është e turpshme se si Rikallo është arsyetuar dhe i ka bërë lajka popullatës shqiptare, meqë ai ndaj akuzave se nga fundi i viteve të nëntëdhjeta ka keqtrajtuar shqiptarët, është përgjigjur përmes një komunikate të cilën e ka publikuar në sajtin e ministrisë së tij vetëm në gjuhën shqipe, thekson SRS.
Radikalët pyesin kreun e shtetit të Serbisë se interesat e kujt i mbron Srpska Lista (Lista Serbe) dhe “përfaqësuesit e imponuar të serbëve, si Rikallo”, si dhe a është hyrja në qeverinë e Haradinajt edhe një hap drejt “rrumbullakimit të të ashtuquajturit shtet i Kosovës”, transmeton Koha.net raportimin e FoNet.