Për ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, aktakuza e ngritur sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës, është aktakuzë banale, ani pse thotë se ende nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar.
Prokuroria Speciale e Kosovës këtë aktakuzë e ka ngritur kundër Bujës, tetë zyrtarëve të komunal të Lipjanit dhe biznesmenit, Fahri Retkoceri.
Një truall i blerë në ankand publik nga ATK-ja, e destinuar si tokë industriale në Lipjan, nuk i hynte në punë biznesmenit Fahri Retkoceri. Ai donte ta ndërtonte një objekt banimi aty. Por këtë se lejonte ligji. E kryetari i Lipjanit atë kohë, Shukri Buja, e ndryshoi destinimin e kësaj toke. Kjo i mundësoi biznesmenit që të filloj investimin e tij.
Buja ka thënë për Klan Kosovën se ai nuk e ka ndërruar destinacionin e pronës por vetëm ka zbatuar vendimin e Kuvendit Komunal të Lipjanit.
“Kryetari i Komunës i ka punët e ndara, jam obliguar ta zbatojë vendimin e Kuvendit Komunal”, ka thënë Buja.
Sipas tij, prona në fjalë është bërë pronë për ndërtim nga pronë industriale me vendim të Kuvendit andaj ai nuk ka asnjë faj.
Buja ndryshoi planin urbanistik që t’i lejonte biznesmenit të ndërtojë banesa në vend të fabrikës
“Prokuroria mund të pretendoj se e kam bërë unë, por dihet se atë e ka bërë Kuvendi Komunal”, ka thënë Buja.
Ai ka treguar se për këtë cështje është marrë në pyetje në fund të vitit 2016 ku është pyetur rreth lidhjes së tij me biznesmenin Retkoceri.
“Më kanë pyetur pse e kam rregulluar veturën zyrtare, pse kam pirë e kam ngrënë drekë me z.Retkoceri. Së pari opinioni e din në Lipjan me zotëri Retkocerin njihemi moti, por në aspektin politik jemi kundërshtar”, ka thënë Buja.
Tutje ai ka shtuar se kjo aktakuzë ka një bazë politike. Sipas Bujës, qëndrimet e tija politike për zgjedhje të parakohshme dhe prishje të koalicionit janë baza e kësaj aktakuze dhe ndjekje ndaj tij.
Buja ka thënë gjithashtu se aktakuza vjen në një kohë kur qytetarët e Lipjanit dhe dega e PDK-së në Lipjan po kërkon që ai të kandidojë për kryetar të Lipjanit. Por Buja nuk e ka sqaruar nëse do të kandidojë apo jo.
“Këtë e cakton tek e fundit, Kryesia e PDK-së”, ka thënë Buja./Insajderi.com