Komenti i Ramës

Rama për marrëveshjen e Uashingtonit: Kosova kthehet ku i takon, pas një periudhe absurde tërheqjeje në një barrikadë sureale lufte me imagjinatën

Edi Rama ka thumbuar Albin Kurtin derisa ka folur për Marrëveshjen e Uashingtonit në mes të Kosovës e Serbisë, duke e cilësuar atë si rikthim të Kosovës në rrugën e drejtë në arenën ndërkombëtare.

Rama për marrëveshjen e Uashingtonit: Kosova kthehet ku i takon, pas një periudhe absurde tërheqjeje në një barrikadë sureale lufte me imagjinatën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen e Uashingtonit në mes të Kosovës e Serbisë, njofton Insajderi.

Rama, derisa ka folur në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së dy qeverive shqiptare në Tiranë, ka thënë se edhe nëse kjo marrëveshje s’përbën gjë të re për kah përmbajtja e saj, mjafton që e ka kthyer Kosovën në kursin e drejtë në arenën ndërkombëtare.

Drejtim, që sipas Ramës, Kosova e kishte humbur para se Avdullah Hoti të vine në krye të qeverisë së Kosovës.

Duke mos i përmendur emrin Albin Kurtit, por duke aluduar në qasjen e tij dhe mos pranimin e Kurtit për të udhëtuar për në Uashington sa ishte kryeministër, Rama tha se Hoti duhet të vlerësohet lartë, nëse për asgjë tjetër, për faktin se “ishte njeriu i duhur, në kohën e duhur”.

“Nëse në aspektin e përmbajtës së marrëveshjes së Uashingtonit nga pikëpamja e angazhimeve të dyja palëve nuk ka asgjë të re, përveç rikthimit të Kosovës në vendin që i takon në arenat ndërkombëtare pas një periudhe absurde tërheqjeje në një barrikadë sureale lufte me imagjinatën është edhe fakti që Izraeli njohu Kosovën, një fakt i jashtëzakonshëm, një sukses që vetëm për të cilin qeveria e Kosovës dhe kryeministri meritojnë në rastin më të keq heshtjen e atyre që flasin e s’dinë çka flasin dhe në rastin më të mirë shprehjen e konsideratës më të lartë”, ka thënë Rama./Insajderi.com