Milionat n'pyetje

Llogaritë e Telekomit u bllokuan kur po diskutohej zgjidhja mes shtetit e Devollit

Telekomi nuk i ka llogaritë bankare nën kontroll, kjo pasi ato u bllokuan shkak i një borxhi milionësh që Telekomi i ka Dardafon/Z-Mobile - e cila i kërkon ato mjete brenda një kohe të shkurtër. Por, shteti i cili caktoi 1 Tetorin si afat për marrëveshje po kërkon nga operatori Z-Mobile një afat më të gjatë për t’ja paguar detyrimin. Mosmarrëveshjet në mes Shtetit e Devollit mund të ndikojnë që shumë punëtorë të mbesin pa paga, pasi momentalisht Telekomi nuk ka më shumë se 2.5 milionë euro në llogari bankare. Nga 15 tetori e tutje janë shtuar takimet në mes përfaqësuesve institucionalë dhe atyre të Dardafon-it, por ende nuk është arritur zgjidhja dhe pikërisht gjatë procesit të dialogimit erdhi edhe njëherë bllokimi që rrezikon seriozisht gjigantin e dikurshëm ekonomik.

Llogaritë e Telekomit u bllokuan kur po diskutohej zgjidhja mes shtetit e Devollit

Në kohën kur po dialogohet në mes të Telekomit dhe Dardafon-it për kthimin e borxhit rreth 30 milionësh që kompania publike i ka Dardafon/Z-Mobile, llogaritë bankare të Telekomit janë bllokuar, njëjtë siç kishte ndodhur më 15 korrik të këtij viti.

Me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohet që t’i paguajë Dardafon/Z-Mobile borxhin milionësh për shkak të katër dëmeve që në vendimin e Gjykatës, Telekomi  i ka shkaktuar operatorit Z-Mobile. 1) Mungesa e SIM-kartelave fizike, 2) Mos ofrimi i 100 mijë numrave shtesë për Z-mobile nga Telekomi 3) Mos ofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G dhe 4) Degradimi i shërbimeve të përgjithshme.

Dardafon pretendon se borxhi duhet t’i paguhet bazuar në vendimet e instancave të larta ndërkombëtare të drejtësisë.

Por, Qeveria e Kosovës po kërkon një zgjidhje. 1 Tetori ishte afati i arritjes së marrëveshjes.

Gazeta Online Insajderi.com, kishte raportuar më 30 shtator për rrezikun që i kanoset Telekomit në muajin tetor. Bllokimi i xhirollogarive po planifikohej.

Përpjekjet për një zgjidhje ishin të shumta, por nuk ishin zyrtare.

Më 15 tetor ishte mbajtur një takim në mes Ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, i cili ishte garantues i datës “1 Tetor” dhe pronarit të Korporatës Devolli, Blerimit.

Mospajtimet ishin tek korniza kohore e kthimit të borxhit, shteti kërkonte tri vjet kohë, ndërsa Devolli nuk ofronte më shumë se tetëmbëdhjetë muaj.

Takimi përfundoi pa zgjidhje, por nuk ishte i fundit, njofton Insajderi.

Takimet në mes përfaqësuesve institucionalë e atyre të Dardafon/Z-Mobile vazhduan dhe pikërisht bllokimi i llogarive ndodhi në kohën kur po  diskutohej zgjidhja.

Këtë e tha për Gazetën Online Insajderi.com edhe kryesuesi i bordit të Telekomit, Mehmet Berisha.

“Në kohën kur ka pasur takime në mes ministrit Kuçi e përfaqësuesve të Devollit, llogaritë u bllokuan, një veprim jo i mirë I Dardafon-it”, tha ai.

Mehmeti shtoi se mjetet nuk janë tërhequr ende, por llogaritë janë të bllokuara.

E sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Telekomit, Lamih Balaj, bllokimi i pamundëson Telekomit operimin si ndërmarrje dhe pagat e punëtorëve rrezikohen seriozisht.

“Xhirollogaritë janë të bllokuara është e vërtet që mjetet akoma janë në llogari dhe nuk janë tërhequr, por ne nuk kemi mundësi t’i përdorim ato mjete, shqetësimet tona janë serioze pasi pos që rrezikohen pagat e punëtorëve rrezikohet edhe operimi i ndërmarrjes”.

Balaj tha se momentalisht në Telekom janë mbi 2.5 milionë euro në llogari dhe një tërheqje tjetër financiare do të rrezikonte gjigantin e dikurshëm ekonomik që të mos jetë në gjendje t’i paguajë punëtorët e saj.

Ai paralajmëroi edhe veprime në rast se Qeveria nuk i ndërmerr për bazë kërkesat e Sindikatës së Telekomit.

“Por ne jemi të vendosur si Sindikat që mos të dorëzohemi para oligarkëve. Tash më sindikata e ka planin e veprimit, por veprimet tona do të ndodhin në rast që Qeveria e Kosovës nuk i merr për bazë kërkesat tona”, theksoi kryetari Sindikatës së Telekomit.

Ndërsa që të mos bankrotojë Telekomi, Drejtori i Drejtorisë së Njësisë për Politika dhe Monitorim te Ndërmarrjeve Publike, Besnik Krasniqi i tha Gazetën Online Insajderi.com, që të martën e 27 tetorit do të kenë takime me përfaqësues së Ministrisë së Financave dhe atyre të Z-Mobile.

Ai shtoi se do t’i kërkohet një afat më i gjatë kohor Z-Mobile në mënyrë që t’i kthehet borxhi dhe të shpëtohet Kompania Publike. Për këtë garantuese do të jetë Qeveria e Kosovës.

“Do t’i kërkohet Dardafon-it pesë vite kohë që t’i kthehet borxh dhe Qeveria të jetë garantuese për këtë” tha ai. /Insajderi.com