Gjithçka që dihet deri më tani për vdekjen e Fadil Syleviqit

Gjithçka që dihet deri më tani për vdekjen e Fadil Syleviqit

Ish-zyrtari policor, Fadil Syleviq, është gjetur pa shenja jete të premten, afër Liqenit të Badovcit, njofton Insajderi.

Fillimisht Policia e Kosovës ishte njoftuar për një trup të vdekur në rrugën që shpie nga “Mati” për te “Liqeni Badovcit”. Pas arritjes së policisë në vendngjarje, u mësua se viktima është Fadil Syleviqi, ish-zyrtar i PK-së.

Lajmin për vdekjen e Syleviq e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”.

“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është  i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, tha Krasniqi.

Lidhur me këtë rast, detaje ka dhënë edhe Prokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi, i cili ka deklaruar se Fadil Syleviq është gjetur i vdekur në mal.

“Prokurori është nisur në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë ka ndodhur. Policia është në vendin e ngjarjes. Ai është gjetur diku në mal i vdekur”, tha ai.

Ndryshe, Syleviqi ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe dyshohet se ka “qenë i përfshirë në rrëfime për vrasje te pasluftës”.

Emri i tij është përmendur edhe nga i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti, i cili më parë kishte rrëfyer për vrasjet e pasluftës në Kosovë.

Mehmeti akuzoi Syleviqin se ka urdhëruar disa vrasje gjatë kohës kur grupi i tyre kriminal ishte duke funksionuar.

“Polici Fadil Syleviqi është i përshirë në shumë vrasje”, kishte thënë shkurt Mehmeti, duke mos treguar specifikisht në cilat vrasje./Insajderi.com