Arrestohet polici Haris Kelmendi që dyshohet se keqtrajtoi një 18 vjeçar

Arrestohet polici Haris Kelmendi që dyshohet se keqtrajtoi një 18 vjeçar

Policia e Kosovës ka arrestuar të shtunën zyrtarin policer, Haris Kelmendi, i cili dyshohet se tri vitë më parë kishte keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht një 18 vjeçar në stacionin policor në Prishtinë.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi avokati i Kelmendit, Naim Rudari.

Rudari deklaroi se mbi Kelmendin rëndon akuza për veprën penale “Pengim i të provuarit”.

“Po ai është arrestuar sot. Prokuroria Themelore në Prishtinë në mënyrë të padrejtë i ka kërkuar që të paraqitet në stacionin policor. Ai është ndaluar për 48 orë, për veprën penale ‘Pengim i të provuarit”, ka thënë Rudari.

Ndryshe, video-incizimi ku polici Haris Kelmendi shihet duke e goditur 18 vjeçarin është bërë virale dhe ndaj këtij veprimi ka pasur reagime të shumta.

Viktima e këtij rasti, Leotrim Rama, ka rrëfyer tërë ngjarjen të shtunën, në profilin e tij në Facebook.

Ai është shprehur se në video-incizimin e publikuar shihet vetëm fundi i një keqtrajtimi që kishte nisur dy orë më parë në stacionin policor, ku ishte shoqëruar, siç ka deklaruar ai, për të dhënë deklaratë për një shkelje që kishte bërë asokohe (në vitin 2018).

Ai tutje ka pohuar se kanë kaluar pothuajse tri vite pas kësaj ngjarje, dhe se gjendja e tij psiqike është rënduar shumë./Insajderi.com