Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që mënjëherë të ndërmerren masat e nevojshme ndaj çdo zyrtari policor i cili e keqpërdorë detyrën, njofton Insajderi.
Hoti këtë kërkesë e ka adresuar gjatë një takimi të zhvilluar të hënën me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Inspektoratit të policisë, Kushtrim Hodaj.
Kreu i ekzekutivit kërkoi nga Inspektorati Policor të trajtojë me shumë përkushtim të gjitha ankesat e qytetarëve që vijnë në adresë të policisë, të jenë këmbëngulës dhe të pakompromis në respektimin e etikës dhe sjelljes profesionale të policisë.
Kryeministri Hoti, theksoi se nuk duhet lejuar që rastet e izoluara të dëmtojnë imazhin e Policisë së Kosovës, “institucionit më të besuar nga qytetarët për vite me radhë”.
Kjo kërkesë e Hotit vjen pasi javën që lamë pas në rrjet qarkulloi një video-incizim ku shihet zyrtari policor, Haris Kelmendi, duke keqtrajtuar një 18 vjeçar, në stacionin policor në Prishtinë./Insajderi.com