Policia konfirmon arrestimin e një zyrtari të ATK-së në Gjilan

Policia konfirmon arrestimin e një zyrtari të ATK-së në Gjilan

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar një zyrtar të Administratës Tatimore të Kosovës në Komunën e Gjilanit, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, përcjell Insajderi.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se arrestimi i të dyshuarit është bërë të mërkurën, ndërsa për keqpërdorim të detyrës kanë qenë dy të dyshuar, por njëri nga ta është liruar.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë bastisjes në shtëpitë dhe zyrat e punës së tyre, janë sekuestruar para të gatshme, telefona, dokumente zyrtare e gjësende të tjera.

“Njësitet policore të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit-Prishtinë pas disa veprimeve hetimore në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan, me 17.03.2021 kanë arrestuar njërin nga dy të dyshuarit meshkuj kosovar-zyrtar të ATK-së, nën dyshimin se kanë kryer veprën e cekur me lart.

Po ashtu, gjatë bastisjes në shtëpitë dhe zyrat e punës së tyre, janë sekuestruar para të gatshme, dy telefona, një shtëpizë kompjuteri, dy llap-top dhe disa dokumente zyrtare”, thuhet në raportin e PK-së.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari i arrestuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet./Insajderi.com