Vuçiq: Angelina Eichhorst nuk është autore e “non paper”

Vuçiq: Angelina Eichhorst nuk është autore e “non paper”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se drejtoresha ekzekutive e Shërbimit Evropian të Shërbimit të Jashtëm, Angelina Eichhorst, nuk mund të jetë autore e një non paper” i publikuar të hënën.

“Nuk mund ta konfirmoj atë, sepse nuk mendoj kështu. Kjo nuk më duket si Angelina Eichhorst dhe jam i bindur që ajo nuk e bëri këtë”, tha Vuçiq, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, transmeton Insajderi.

Vuçiq ka frikë se këtë mund ta ketë shkruar dikush që është i afërt me Kosovën.

“Kam frikë se botimi i “non-paper”-it ishte një strategji e qëllimshme në disa qarqe që janë më afër pikëpamjeve të Prishtinës sesa Beogradit, në kuptimin taktik”, theksoi i pari në Serbi.

Gazeta e afërt me presidentin serb “Kurir”, ka pretenduar se diplomatja holandeze, Angelina Eichhorst, është autore e atij “non-paper”.

Një gjë të tillë nuk e mohoi as kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq.

Dokumenti i publikuar të hënën përmban idenë e krijimit të një “autonomie” e që do të quhej “Kosova Veriore”.

Në dokument thuhej se për t’u arritur një gjë e tillë Kosova dhe Serbia “duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese”. /Insjaderi.com