Policia jep detaje për rrahjen e qytetarit nga sigurimi në ‘Albi Mall’

Policia jep detaje për rrahjen e qytetarit nga sigurimi në ‘Albi Mall’

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rrahjen brutale të ndodhur një javë më parë në qendrën tregtare “Albi Mall”, pas diskutimit të ashpër mes sigurimit të kësaj qendre tregtare dhe një qytetari.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se rasti ka ndodhur më datë 6 maj të këtij viti dhe ndaj të dyshuarve, pas hetimeve të kryera nga ana e policisë, më datë 8 maj është proceduar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

”Rastit të cilit po i referoheni ka ndodhur më 06.05.2021 dhe i njëjti është trajtuar nga ana e policisë me ç’rast janë ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që kanë konsistuar në sqarimin dhe ndriçimin e rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

“Për më shumë, ndaj të dyshuarve pas hetimeve të kryera nga ana e policisë, më datë 08.05.2021 është proceduar kallëzimi penal në prokurorinë themelore të Prishtinës si vijimësi e veprimeve të mëtejme hetimore e procedural”, është shprehur më tej ajo.

Në pamjet e publikuara, shihet se si sigurimi e rrah me grushta dhe shkelma personin me të cilin kishte debatuar derisa mosmarrëveshja e tyre shpërtheu në dhunë fizike. /Insajderi.com