Haradinaj do të takohet me Kurtin javën e ardhshme, Hoxhaj ende pa vendim

Haradinaj do të takohet me Kurtin javën e ardhshme, Hoxhaj ende pa vendim

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur pozitivisht ftesës për takim me kryeminstrin e vendit, Albin Kurti.

Takimi mes dy liderëve do të mbahet javën e ardhshme.

Kështu bëri të ditur për Gazetën Online Insajderi, Lulëzim Blaka, zyrtar për informim në AAK.

“Kryetari Haradinaj, do të takohet me Kryeministrin Kurti, në fillim të javës tjetër në orar të dakorduar bashkërisht”, tha ai.

Përveç Haradinaj, ftesën për takim shefi i qeverisë ua ka dërguar edhe dy liderëve të tjerë të opozitës, Lumir Abdixhikut nga Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Enver Hoxhajt nga Partia Demokratike e Kosovës.

Këta të fundit ende nuk janë deklaruar nëse do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese.

Insajderi ka provuar disa herë të kontaktojë me ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, por ka qenë e pamundur.

I paqasshëm ka qenë edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Abelard Tahiri, ndërsa nënkryetari i partisë, Bedri Hamza, nuk ka pranuar të flasë.

Ndërkaq, nënkryetari Shaqir Totaj, ka konfirmuar për Klan Kosovën se të enjten pasdite e kanë pranuar letrën e Kurtit, por akoma nuk dihet nëse Hoxhaj do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës.

“Ne e kemi pranuar sot pasdite letrën e Kurtit. Pas kësaj e kemi mbajtur një takim në parti dhe akoma nuk e kemi marrë një vendim, do ta marrim javën e ardhshme”, ka thënë Totaj.

Gazeta po ashtu ka provuar të marrë një përgjigje nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur./Insajderi.com