Çitaku: Marrëveshja e Washingtonit s’është lojë fëmijësh

Çitaku: Marrëveshja e Washingtonit s’është lojë fëmijësh

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, deklaroi të shtunën se marrëveshja e Kosovës me Serbinë e nënshkruar në Washington nuk është “hajgare e lojë fëmijësh”, njofton Insajderi.

Sipas saj, me aleatët, e posaçërisht me SHBA-në, “një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale”.

Reagimi i Çitakut vjen një ditë pasi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, Përparim Kryeziu, deklaroi se “marrëveshja e Washingtonit është jolegjitime”.

“Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike. Para pak ditësh ishte në Kosovë i deleguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Jam e bindur se në takimet të cilat janë zhvilluar ka pasur mundësi që të trajtohen këto shqetësime. Pastaj, se Administrata e Presidentit Biden qëndron fuqishëm pas marrëveshjes së 4 Shtatorit e ka bërë të ditur publikisht Sekretari i Shtetit Blinken”, ka shkruar ish-ambasadorja në Facebook.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, deklaroi të premten se “marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend”. Sipas tij, kjo marrëveshje është jolegjitime pasi është nënshkruar nga Qeveria Hoti, “e cila ishte po ashtu jolegjitime”.

Për deklaratën e Kryeziut ka reaguar edhe ish-kryeministri dhe njëherësh kryetar i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të demantojë deklaratën e Kryeziut “për të mos rrezikuar marrëdhëniet me Amerikën”.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi të shtunën se çdo marrëveshje e nënshkruar me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e obligueshme për t’u zbatuar.

Duke komentuar deklaratën e Kryeziut, Abdixhiku tha shkurt “kaq di i shkreti, s’di më shumë”./Insajderi.com