Qeveria spanjolle po punon në një plan që bashkë me Bashkimin Evropian, të hapin një kamp të madh refugjatësh në Kosovë, transmeton Insajderi.com.
Kështu raporton mediumi spanjoll “OkDario”, sipas të cilit, ndihna e Spanjës pritet të jetë në bashkëpunimin për menaxhim dhe ndërtim.
Ky medium, duke u thirrur në burime diplomatike, ka thënë se tashmë ekziston plani në tavolinë dhe bisedimet janë në fazë të avancuar.
Si zgjidhje territoriale për ndërtimin e një kampi të tillë, BE-ja dhe Spanja po e shohin Kosovën, pavarësisht se Spanja s’e njeh Kosovën.
Tashmë Kosova është pajtuar për të strehuar rreth 2000 afganë për deri në një vit, por raportimi thotë “se mund të jenë mijëra të tjerë në të ardhmen, që do të mbesnin për një kohë në këtë vend dhe më vonë do të dërgoheshin në shtetet e BE-së nëpërmjet një sistemi për të cilin ende s’ka marrëveshje”.
Sipas raportimit, Kosova ende s’ka pranuar propozimin edhe pse “do ta mirëpriste” sepse në marrëveshje mund të jetë pjesë edhe “njohja nga Spanja në të ardhmen”.
Në ndërkohë Spanja tashmë ka rialokuar më shumë se 2000 afganë në një vend të përkohshëm pasi ka hequr bazën që kishte paraprakisht. /Insajderi.com