Gërvalla: Tensioni i shkaktuar në Jarinje të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë

Gërvalla: Tensioni i shkaktuar në Jarinje të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se tensioni i shkaktuar në Jarinje, pasi Kosova vendosi reciprocitetin për targat, duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë.

Ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel.

Këto deklarata Gërvalla i ka bërë gjatë takimit me homologun e saj slloven, Anze Logar, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

“Duke qenë se Sllovenia mbanë kryesimin e radhës së Presidencës së Këshillit të BE-së, ministrja Gërvalla ka kërkuar përkrahjen e Sllovenisë për të shtyrë përpara agjendën evropiane të Kosovës”.

“Së bashku diskutuan për raportet dypalëshe, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, dhe folën për mundësinë e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy vendeve”, thuhet në komunikatën për media të MPJD-së.

Ndërsa, nga ana e tij, ministria njofton se kryediplomati slloven ka theksuar qëndrimin mbështetës të Sllovenisë karshi integrimit evropian të Kosovës.

Mëngjesin e së hënës, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikën kufitare, Jarinje, për ta zbatuar reciprocitetin me Serbinë për targat.

Pak kohë më pas, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se “askush s’mund të hyjë në Kosovë pa targa RKS”.

Të pakënaqur me këtë vendim, serbët kanë dalë për të protestuar. Protesta ka kaluar pa asnjë incident, përpos zhurmave të serbëve që bënin gjatë shprehjes të pakënaqësive./Insajderi.com