Disa orë pasi sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, doli në një konferencë për media për të treguar atë që ai e quajti një skemë kriminale të udhëheqjes së Policisë së Kosovës nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i PDK-së, Kadri Veseli, ka ardhur reagimi i Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate pretendimet e Molliqajt se “Policia udhëhiqet nga strukturat kriminale të PDK-së”, dhe “Për vite përgjimet nga Policia e Kosovës janë bërë jashtëligjshëm”, i cilëson si të pavërteta.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në mandatin e sajë ligjor ka për mision Ruajtjen e Rendit dhe Sigurisë Publike, Sigurinë e Përgjithshme në vend, si dhe funksionon në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në këtë komunikatë.
Struktura udhëheqëse e Policisë së Kosovës sipas kësaj komunikate mundëson “menaxhim profesional sipas metodave të njohura menaxhuese për të gjitha çështjet organizative, operacionale dhe hetimore brenda PK-së”.
“Sa i përket dyshimeve dhe deklarimeve të pavërteta të z.Molliqaj, i cili përpiqet të paraqes Policinë e Kosovës si institucion jo profesional, dëshirojmë edhe një herë të ri-theksojmë se Policia e Kosovës është institucion profesional, e pa lëkundur në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të saja, dhe e pa ndikuar nga çfarëdo ndikimi apo pretendimi nga jashtë, duke përfshire edhe pretendimet e pavërteta dhe tendencioze të z.Molliqaj”, thuhet në reagim.
Sipas PK-së, tendenca për të paraqitur Policinë, si institucion i ndikuar nga faktorë të jashtëm e në veçanti duke u përpjekur të linçojë stafin menaxherial të PK-së, nuk kuptohet ndryshe veç se “njollosje, dhe etiketim i vlerave që përfaqësojnë personelin policor, të cilët sakrifikojnë ditë dhe natë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës”.
Policia i është përgjigjur edhe përgjimet që Molliqaj tha se Policia i kryen pa ndonjë vendim.
“Referuar edhe deklarimeve rreth realizimit të përgjimeve, sigurojmë opinionin e gjerë se përgjimi i telekomunikimeve realizohet në pajtim me legjislacionin në fuqi, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, dhe Ligjit për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike Nr. 5/L-030, si dhe gjithë herë bazuar në urdhër të ligjshëm të Gjykatës kompetente”, thuhet në reagimin e Policisë.
“Policia e Kosovës vlerëson se është shume indikativë deklarata e z.Molliqaj, për faktin se në të gjitha rrethanat kur ne jemi të fokusuar njëqind përqind në çështjet jetike dhe madhore për sigurinë dhe interesin kombëtar të Kosovës, personi i njëjtë shfaqet me deklarime tendencioze duke u munduar të krijoj huti në opinionin publik, dhe kjo qasje i shkon në dobi vetëm armiqve të shtetit të Kosovës e jo qytetarëve të saj”, thuhet tutje në këtë komunikatë.
“Prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm nuk duhet dezinformuar si në rastin konkret nga z.Molliqaj”, përfundon komunikata./Insajderi.com
VV thotë se Veseli i prinë një skeme kriminale brenda Policisë