Kukunews ka arritur të sigurojë disa nga dokumentet që janë sekuestruar nga bastisja e ditës së enjte në zyrat dhe hapësirat tjera të kryetarit të Komunës së Klinës.
Një nga dokumentet e sekuestruara, e që është i rëndësishëm për rastin “Saja Koli” është edhe një faqe e shqyer e Abetares së vjetër, e cila është gjetur në dollapin me kod në zyrën e Bashotës.
Në këtë mësim të titulluar “Saja” në të cilin personazh është saja e Sokolit që fluturon mbi borë dhe që nuk di të ndalet, sipas policisë përbën një kodim që pas analizave mund të çojë në zbardhjen e rastit të keqpërdorimeve.
“Ne dyshojmë se fjalia ‘Saja e Sokolit kaloi fluturim. Mirëpo, Sokoli u përplas me sajë në borë. Mos, Sokol, mos – e porositi e ëma, Sokoli nuk bëri më si përpara’ është kod që do të qoj në zbardhjen e historisë së Sokol Bashotës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Mësimi në faqen 65 që përfundon me fjalinë motivuese “Samiri mëson mësimin, Sokoli nuk pati kujdes”, besohet të jetë gjithashtu edhe një tjetër fjali që Tasfkorca për Dekodim në Policinë e Kosovës do të merret këto ditë.
Në anën tjetër një punëtor në Komunën e Klinës, zyra e së cilit është shumë afër asaj të kryetarit i ka thënë Kukunews se Bashota e ka ruajtur gjithmonë me xhelozi këtë faqe të mësimit të Abetares por askush asnjëherë nuk ka menduar se aty fshihet e vërteta.
“Kemi menduar se kryetari është i lidhur ngushtë me atë mësim qysh prej klasës së parë pasi edhe e ka ditur përmendësh krejt mësimin”, ka thënë punëtori, që deshi të mbes anonim për publikun.