Kryeministri i vendit u përballë me një refuzim të gazetarëve kosovar për të marrë pjesë në një takim jo formal me ta, pasi një javë më herët bëri një fyerje për gazetarët duke ua kontestuar edhe njohuritë e gjuhës angleze dhe shkollimin.
Por megjithatë, takimi jo formal ndodhi sonte në ambientet e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Zyrës së Kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Sipas fotografive të publikuara nga Zyra e Kryeministrit shihet se gazetari megjithatë ka pasur një audiencë të bollshme të gazetarëve në këtë takim.
E ky takim siç duket në fotografitë e publikuara ka qenë i mbushur edhe me ushqim tradicional sikurse qebapët dhe mantiat bashkë me ushqime të tjera.
“Ky është gjest i vogël edhe shenjë falënderimi të punës që bëni dhe kërkim falje për fjalorin tim të ditëve më herët”, ka thënë Haradinaj teksa u është drejtuar gazetarëve të pranishëm.
Më pas ka treguar se është edhe në një presion të madh.
“Jam me një stres të madh, gjendja në vend nuk është e mirë, është e vështirësuar”, ka thënë kryeministri.
Ai ka përmendur gjendjen në shëndetësi e fusha tjera, po në theks e ka pasur energjinë.
Megjithatë pesë ditë më parë, Zyra e Kryeministrit insistonte se Haradinaj nuk ka fyer gazetarët.
Këtë e bëri disa orë pasi kryeministri Ramush Haraidnaj në një konferencë për media së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se shumica e gazetarëve as nuk dinë të lexojnë anglisht dhe se janë të pashkolluar, ka ardhur edhe sqarimi nga Zyra për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit.
“Kam respekt për media shumë, më besoni por shumica prej juve, as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë, problemi është i juaji, s’kam ndonjë koment”, i kishte thënë Haradinaj gazetares.
E Zyra për Komunikim me Publikin insiston se Haradinaj ka të drejtë.
Zyra e Kryeministrit insiston se Haradinaj ka të drejtë mbi gazetarët
“Sot pasdite kemi marrë një letër nga AGK, e cila një apel të Kryeministrit Haradinaj që disa gazetarë të jenë më profesionistë dhe më të shkolluar, e ka konsideruar si ofendim ndaj gazetarëve dhe mediave. Haradinaj ka kërkuar vetëm profesionalizëm dhe etikë prej disa gazetarëve dhe asgjë më shumë. Na vjen keq nëse dikush, nga mosdija apo qëllimisht, ka bërë cilësime të pasakta të kësaj natyre”, thuhej në reagimin e Zyrës për Komunikim me Publikun.
Më pas kjo Zyrë është mburrur me “transparencën” e Qeverisë Haradinaj.
“Kryeministri Hardinaj dhe kabineti i tij e kanë filluar punën duke qenë më të hapur se cilado Qeveri e mëparshme ndaj mediave dhe gazetarëve, dhe kështu do të jetë deri në fund të mandatit. Transparenca jonë duhet të jetë e mjaftueshme që gazetarë dhe media të caktuara poashtu të jenë korrekte dhe profesionale në raport me Kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë e tij”, thuhej në njoftim.
Por takimi jo-formal me gazetarët i mbajtur pesë ditë më vonë rezultoi me një kërkim falje por që nuk u pranua prej të gjithë gazetarëve./Insajderi.com