Rrëfimet e fëmijëve që punojnë te semaforët në Prishtinë

Sipas të gjitha gjasave nuk është vetëm ai që shihet në videon e publikuar nga Insajderi. Ka edhe të tjerë bosë që një herë në ditë paraqiten tek semaforët kryesor të kryeqytetit, aty ku me dhjetra fëmijë punojnë si pastrues të xhamave të veturave. Ky është rrëfimi i tyre, mes frikës se do zbulohen dhe frikës së do të ndëshkohen

Rrëfimet e fëmijëve që punojnë te semaforët në Prishtinë

Sapo e kuqja ndizet në semaforë pranë veturës paraqiten dy-tre fëmijë. Shumica e tyre nuk pyesin fare dhe fillojnë të pastrojnë xhamin e veturës. Është i kotë tentimi që t’i bindësh se nuk ke nevojë për pastrim të xhamave. Ata vazhdojnë punën e tyre. Më pas i takon shoferit nëse dëshiron t’i jap para apo jo.

“Shumica sillen shumë keq edhe nuk duan asnjë pare me dhanë e disa janë më të mirë edhe na japin ka 50 cent e do ma shumë”, thotë një nga këta fëmijë.

“I bojm diku ka 20-30 euro në ditë, nganjëherë më shumë”, shton ai.

Janë diku me 20 fëmijë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptan të cilët punojnë në secilën stinë të vitit duke pastruar xhamat e veturave por paratë nuk shkojnë tek ta.

Insajderi ka siguruar një videoje në të cilën një person i moshës madhore shihet teksa ua mbledhë paratë disa fëmijëve të cilët punojnë te semaforët.

Videoja e siguruar shpërfaqë një person teksa ua grumbullon paratë që kanë siguruar nga puna e tyre. Por teksa identiteti i tij nuk është bërë publik, për të nuk guxojnë të flasin as fëmijët.

Kur Insajderi ua ka treguar videon të cilën e ka siguruar shumë nga fëmijët e tyre nuk janë të interesuar të flasin.

Bosi që mbledh pazarin e fëmijëve te semaforët në Prishtinë

Insajderi sjell me video pamje ku një person shihet teksa ua mbledhë paratë fëmijëve që punojnë duke pastruar xhamat e veturave te semaforët në Prishtine.

Posted by Insajderi on Monday, 25 September 2017

“Jo ika vlla nuk kam çka me fol”, thotë një nga ta.

Shumica e tyre frikësohen të flasin dhe mohojnë kategorikisht që të pranojnë se punojnë për dikë. Por janë disa prej tyre që edhe flasin. Por rrëfimet e tyre për bosët e tyre nuk janë të këqija.

“Nuk është veç qeky, edhe pse unë se njoh”, thotë njëri prej tyre.

“Por janë disa këtu, ama ata na ndihmojnë me na dhonë rrogë mujore edhe na ndihmojnë kur kemi probleme ose kemi nevojë diçka”, thotë ai.

Shumica e fëmijëve që punojnë aty janë të moshës minore. Më i madhi prej tyre ka 15 vjeç.

Por rrëfimet e tyre për bosët që ua mbledhin pazarin nuk janë krejt të mira.

Në ditën e dytë kur Insajderi vizitoi fëmijët që punojnë tek semaforët në Prishtinë, u përballë me të të tjera storje.

Një prej tyre është edhe një 13 vjeçar. Ai fillon të qajë kur pyetet për personin që shihet në video.

“Pash Zotin mos me xhiro, mos më fotografo”, lutet ai.

“Ma se na rrahin”, shton ai teksa ikë. Më nuk duket aty. Më pas fillon ikja edhe e disa fëmijëve të tjerë.

Një tjetër fëmijë që ka dy muaj që ka “hyrë në punë” duke pastruar xhamat e veturave tregon për një sekuencë.

“Nganjëherë edhe i rrehin do fëmijë këtu nëse nuk bojnë sa duhet pare”, thotë ai.

Insajderi e ka pasur të pamundur që të kontaktojë me familjarët e këtyre fëmijëve./Insajderi.com

“Policia kurrë nuk erdhi” – rrëfimi për ditën ku u xhirua bosi që mbledhë paratë e fëmijëve