“Është turizëm i tepruar”, kërkesa  e Haradinajt që po shpërfillet nga dy ministrat e PDK-së

“Është turizëm i tepruar”, kërkesa  e Haradinajt që po shpërfillet nga dy ministrat e PDK-së

Qortimi i kryeministri Ramush Haradinajt ndaj ministrave është shpërfillur nga ministrat e Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëm katër ditë më parë Haradinaj i kishte qortuar ministrat e kabinetit të tij. I kishte quajtur ministrat turista, shkruan Insajderi.

Ministrat nga PDK kanë vazhduar udhëtimet e tyre. Uran Ismail, Ministër i Shëndetësisë dhe Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë së bashku me anëtarin tjetër të partisë, Memli Krasniqi duket se po ia kalojnë mirë në Londër.

Krasniqi në llogarinë e tij në Instagram ka postuar një foto së bashku me Tahirin dhe Ismailin me mbishkrimin: ” Edhe pse disa orë në Londër, sjellin buzëqeshje në fytyrën tonë”.

Të martën Haradinaj i kishte qortuar ministrat e kabinetit të tij duke i quajtur turistë.

“Nëse një ministër nuk është në seancë është mirë më shkrujt një shkresë sekretarit të Parlamentit dhe është mirë me njoftu dhe kryeministrin. Dje i kemi pasur tre ministra në Paris, pak si tepër ky turizmi duhet me ia vnu mendjen pak me u marrë vesh, ku  po shkojmë, pse po shkojmë. S’ka logjikë si rasti i djeshëm në parlament”.

“Në parlament nuk ka nevojë me nejt qeveria gjithë ditën por me bë mos me qëllua aty kur është tema jote është joserioze. Unë i kam ngarkuar 4 apo 5 vetë, një këshilltar i juaj duhet të jetë në seancë, një staf apo dikush. Dërgon dikë që e përcjell seancën, të rrinë dikush i yti aty, nëse i ke pesë këshilltarë e qon një rri aty”, kishte deklaruar Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë./Insajderi.com

Haradinaj qorton rëndë ministrat, i quan turistë