Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja u dënua sot nga Gjykata me tri vite burgim. Ai ishte i akuzuar për keqpërdorim të detyrëz zyrtare, përderisa ky rast ishte gjithashtu i shënjestruar për liberalizimin e vizave.
Bashkë me Bujën të akuzuar në këtë rast janë edhe Nebih Zariqi, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.
Pasi u dënua nga Gjykata, Buja ka deklaruar se ky rast ishte i montuar politikisht, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai ka thënë se “shpreson që tashmë të liberalizohen vizat për kosovarët”.
“Pas dënimit tim shpresoj të liberalizohen vizat. Por jam skeptik sepse orekstruesit e ndjekes tonë nuk po ndiqen. Janë njerëzit e politikës që nuk e duan konkurrencën politike”, tha Buja.
I akuzuari i dytë në këtë rast, Nebih Zariqi, është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi është gjetur fajtor.
I akuzuari tjetër, Fahri Ratkoceri është liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella është dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndvrrohet në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohet në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra janë liruar nga akuza.
Por, për çfarë u dënua saktësisht ish-kryetari i Lipjanit?
Shukri Bujës iu shqiptua dënimi prej tri vitesh burg nën dyshimet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare sa ka udhëhequr me komunën e Lipjanit.
Buja akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga komuna e Lipjanit me kompaninë “NEË Co Feronikel Complex LL. C.”.
Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.
Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.
Me këtë Prokuroria pretendonte se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.
Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë me “New Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari.
Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.
Më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.
Gazeta Inasjderi kishte raportuar edhe më herët për të bëmat e Shukri Bujës.
Ai i kishte dhënë në shfrytëzim tre hektarë tokë një biznesmeni nga Prishtina, për vetëm 75 euro në muaj.
Shukri Buja për disa vite me radhë kishte qenë anëtar dhe deputet një kohë i PDK-së.
Kurse në gushtin e vitit 2017, Buja kishte aderuar në partinë Nisma Socialdemokrate. /Insajderi.com