Shukri Buja i dha tre hektarë tokë biznesmenit nga Prishtina për 75 euro në vit

Vetëm 75 euro në vit paguan biznesmeni Shemsi Beqiri për shfrytëzimin e tre hektarëve tokë në fshatin Gadime të Ulët në Lipjan. Këtë parcelë që atij ia dha me qira në shfrytëzim ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, kompania e biznesmenit Beqiri e përdor për të kryer biznes me gur gëlqeror. Mirëpo, kompania e Beqirit paguan taksë për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në Gadime të Ulët.

Shukri Buja i dha tre hektarë tokë biznesmenit nga Prishtina për 75 euro në vit

Në përfundim të mandatit të parë si kryetar i Komunës së Lipjanit, në shkurt të vitit 2009, Shukri Buja kishte zgjedhur që t’i bënte favor një biznesmeni nga Prishtina. Ish-kryetari i Lipjanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i kishte dhënë në shfrytëzim tokën e shtetit kompanisë N.P.P “Niti” që ka pronar biznesmenin Shemsi Beqiri.

Në një kontratë që kishin lidhur Shukri Buja si kryetar i Komunës së Lipjanit dhe Shemsi Beqiri si pronar i kompanisë N.P.P “Niti”, theksohej se tre hektarë tokë në fshatin Gadime të Ulët i jepen në shfrytëzim kompanisë N.P.P “Niti”.

Madje, këtë tokë, Buja ia kishte dhënë në shfrytëzim kompanisë së Shemsi Beqirit për një shumë të ulët parash.

Në kontratën me kohëzgjatje prej dhjetë vitesh, biznesmeni nga Rimanishta e Prishtinës i obligohet komunës vetëm 25 euro në vit për secilin hektarë që shfrytëzon. Pra, për tre hektarë tokë, ai obligohet t’i paguajë komunës vetëm 75 euro në vit, raporton Insajderi.

“Pjesën e sipërfaqes prej 3.00,00 hektarë tokë si në pikën 1 të kësaj kontrate Komuna i jep në shfrytëzim N.P.P ‘Niti’ – Prishtinë me çmim kontraktues prej 25 euro për 1 hektarë (3.00,00 ha x 25 = 75 euro) shumë vjetore”, thuhet në pikën 2 të kontratës së nënshkruar nga Buja dhe Beqiri.

Po ashtu, në kontratë bëhej e ditur se kompania N.P.P “Niti”, me bazë në Prishtinë, kishte për qëllim eksplantimin dhe thërrmimin e gurit gëlqeror në fshatin Gadime.

“Shfrytëzuesi si në pikën 1 të kësaj kontrate ka për qëllim eksplantimin, thërrmimin dhe seperimin e gurit gëlqeror në fshatin Gadime, si dhe nuk ka të drejtë të japi në shfrytëzim personave të tretë”, thuhej në kontratë.

Kompania i paguan taksë shtetit për çdo metër kub të gurit gëlqeror që eksplanton 

Shemsi Beqiri thotë se përveç 25 eurove që kompania e tij paguan për secilin hektarë tokë që e shfrytëzon, N.P.P “Niti” i paguan shtetit edhe taksë nga shfrytëzimi i gurit gëlqeror.

Në një bisedë për Insajderin, pronari dhe drejtori i kompanisë N.P.P “Niti” u shpreh se në parcelën, qiranë e së cilës e paguan vetëm 25 euro në vit, ende punohet.

Beqiri ka thënë se kompania e tij i paguan 50 cent në çdo metër kub të gurit gëlqeror që e nxjerrë në Gadime të Ulët. Po ashtu, drejtori i kompanisë N.P.P “Niti” i paguan mbi 3 mijë euro në vit Komisionit për Miniera për detyrime të tjera ligjore.

“Po, punohet edhe është valide kontrata. Ne e paguajmë me metër kub, sa nxjerrim material ne e paguajmë me metër kub”, ka shpjeguar biznesmeni nga Prishtina.

Ndonëse në kontratën për shfrytëzimin e tre hektarëve tokë, të cilën e ka siguruar Insajderi, shihet qartë se kontrata është nënshkruar mes tij dhe ish-kryetarit Shukri Buja, Beqiri thotë se nuk e mban mend një gjë të tillë.

“Ah… jo nuk më kujtohet [nëse e ka nënshkruar Shukri Buja]. Aty bëhet vetëm një pëlqim e pastaj ne e marrim leje në Ministrinë e Ambientit, në Ministrinë e Pylltarisë, si dhe është komisioni i minierave. Procedurë e gjatë është kjo”, ka thënë Beqiri.

Ai ka thënë se nga punimet me gurin gëlqeror në Gadime të Ulët, vazhdimisht i paguan detyrimet ndaj shtetit.

“Ne paguajmë sa të punojmë, për shembull nëse marrim 10 mijë kubik gur, i paguajmë 5 mijë euro komunës. I shkon edhe një përqindje komunës. Ne i paguajmë edhe Komisionit të Minierave sepse pa i paguar ato nuk na lë që të vazhdojmë pastaj punën”, shprehet drejtori i kompanisë N.P.P “Niti”.

Bujës nuk i kujtohet të ketë dhënë tokë në shfrytëzim për vetëm 25 euro për hektar

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja thotë se nuk i kujtohet nëse e ka nënshkruar vet ai kontratën me biznesmenin Shemsi Beqiri, edhe pse dokumentet tregojnë se vet Buja i kishte dhënë dritën e gjelbër kompanisë së biznesmenit Beqiri për të marrë përsipër qiranë e tokës sëfshfr shtetit.

Gazeta Insajderi ka biseduar me Bujën lidhur me këtë çështje, por ai ka thënë se nuk i kujtohet asgjë.

“Nuk më kujtohet tash se çfarë ka pas, e si ka qenë. Është kohë e gjatë, unë nuk e di, nëse ka diçka atëherë ka institucione që merren me këtë punë. Nuk e di çfarë është ajo”, ka thënë Buja për Insajderin.

Mirëpo, Buja është shprehur i sigurt për një gjë. I ka thënë Insajderit se “në atë periudhë, unë e kam menaxhu komunën sipas ligjeve në fuqi”.

Insajderi ka kontaktuar edhe me Komunën e Lipjanit, e cila tashmë udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ata nuk kanë pohuar e as mohuar në lidhje me atë nëse e konsiderojnë të ligjshme apo të kundërligjshme kontratën e nënshkruar mes ish-kryetarit Buja dhe biznesmenit Beqiri.

Zëdhënësja e Komunës, Bukurie Zejnullahu-Jashari ka thënë se kontrata e lidhur mes komunës dhe kompanisë N.P.P “Niti” është e vlefshme deri më datë 12 shkurt të vitit 2019 – kur do të përfundojë afati kohor prej 10 vitesh, që prej nënshkrimit të kontratës.

“Kontrata e lidhur me datë 12.02.2009 me kohëzgjatje prej 10 vitesh, përkatësisht kontrata është në fuqi deri me datë 12.02.2019. Kontrata është lidhur në kohën kur ka qenë  në fuqi Rregullorja Nr.2005/13,  4 mars 2005 mbi dhënien në shfrytëzim  afatgjatë të pronës së paluajtshme shoqërore që administrohet nga komunat në Kosovë”, ka thënë Komuna e Lipjanit, në një përgjigje me shkrim.

Shukri Buja nuk është kryetar i Komunës së Lipjanit që nga viti 2013, kur humbi zgjedhjet për kryetar komune. Në ato zgjedhje, pas dy mandatesh si kryetar i komunës, Buja u zëvendësua nga Imri Ahmeti i LDK-së në krye të ekzekutivit komunal në Lipjan.

Në shkurt të vitit 2017, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Shukri Bujës dhe 8 zyrtarëve të tjerë komunal në Lipjan, nën dyshimin për korrupsion.

Madje, në një pikë të aktakuzës kundër Bujës, theksohet dyshimi se ai ka tjetërsuar pronar shoqërore dhe komunale në mënyrë të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se “duke vepruar në bashkëkryerje me dashje direkte, në mënyrë të kundërligjshme, kanë nxjerrë vendime, me të cilat fillimisht kanë eksproprijuar dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe pronat komunale, me qëllim të eksploatimit të xehejes së nikelit.” /Insajderi.com