Imami i liruar nga akuzat për shmangie nga tatimi dhe nxitje në terrorizëm, Shefqet Krasniqi pritet tu kthehet ligjëratave në Xhaminë e Madhe.
Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com vetë Shefqet Krasniqi.
Madje ai ka thënë se kjo kërkesë i është pranuar edhe nga kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava.
“Po do t’i rikthehem ligjërimit, pas 4 vite e gjysmë. Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën time. Ndërsa këtë e ka miratuar edhe myftiu Naim Tërrnava”, tha Shefqet Krasniqi.
Por në lidhje me këtë temë, asgjë nuk po di Bashkësia Islame e Kosovës.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu tha për Insajderin më herët se s’ka njohuri që Krasniqi do të ligjërojë në Xhaminë e Madhe.
“Unë nuk kam informata për diçka të tillë”, është përgjigjur Sadriu për Insajderin.
Insajderi gjithashtu ka kontaktuar për këtë çështje sekretarin e BIK-ut, Resul Rexhepin.
As ky i fundit nuk ka pranuar të flas, duke thënë se nuk ka njohuri.
Shefqet Krasniqi ishte larguar nga pozita e imamit, pasi u përball me drejtësinë për disa akuza.
Para 8 muajsh imami Krasniqi ishte liruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuzat për vepra penale të terrorizmit dhe shmangie nga tatimi, ish-imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.
Ish-imami akuzohej për veprat penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik” dhe veprën “shmangie nga tatimi”. /Insajderi.com