fbpx

BIK-u tregon nëse Shefqet Krasniqi është kthyer si imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë

BIK-u tregon nëse Shefqet Krasniqi është kthyer si imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Një peticion u nis ditë më parë për ta rikthyer Shefqet Krasniqin si imam të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Imami që u lirua nga akuzat për shmangie nga tatimi dhe nxitje në terrorizëm, vazhdon të ketë shumë adhurues.

Qindra qytetarë nëpër rrjete sociale kanë shpërndarë  peticionin, duke u shprehur entuziastë për rikthimin e Krasniqit në krye të Xhamisë së Madhe të Prishtinës.

Kurse sonte nëpër faqe të ndryshme islame, është bërë e ditur se Krasniqi do të mbajë një ligjëratë të mërkurën në Xhaminë e Madhe, shkruan Insajderi.

“Ju njoftojme se hoxha i nderuar Dr. Shefqet Krasniqi rifillon dersin e tefsirit kete te Merkure (14.11.2018) pas namazit te Jacise ne xhamine e madhe ne Prishtine”, thuhet në postimet që po shpërndahen ne faqet me emrin e Shefqet Krasniqit.

Kjo shtoi spekulimet se ai do ta rikthejë punën e tij si i pari i kësaj xhamie.

Por kthimin e Krasniqit si kryeimam në Xhami të Madhe e ka mohuar zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu.

Sadriu në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka thënë se BIK-u nuk ka marrë ndonjë vendim të tillë.

“Përgjigja është shumë e shkurtër, jo”, u përgjigj Sadriu.

Zëdhënësi i BIK-ut nuk ka asnjë informatë se Krasniqi do të mbajë “ders” të mërkurën në Xhaminë e Madhe.

“Unë nuk kam informata për diçka të tillë”, është përgjigjur Sadriu për Insajderin.

Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga vetë Shefqet Krasniqi, por ky i fundit për disa orë nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Shefqet Krasniqi ishte larguar nga pozita e imamit, pasi u përball me drejtësinë për disa akuza.

Para 8 muajsh imami Krasniqi ishte liruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuzat për vepra penale të terrorizmit dhe shmangie nga tatimi, ish-imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

Ish-imami akuzohej për veprat penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik” dhe veprën “shmangie nga tatimi”. /Insajderi.com