Vodhën deklaratën e misionit – zëdhënësi i Universitetit të Mitrovicës thotë se ‘traditë’ kanë universitetin

Vodhën deklaratën e misionit – zëdhënësi i Universitetit të Mitrovicës thotë se ‘traditë’ kanë universitetin

Vjedhja e deklaratës së misionit – dokumentit më të rëndësishëm të një universiteti – ka qenë njëra prej arsyeve kryesore që bindi ekspertët e huaj të angazhuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA), për të mos e akredituar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Por, përkundër rekomandimeve negative që ekspertët e huaj kanë dhënë për Universitetin e Mitrovicës – “Isa Boletini” Ahmet Jashari, zëdhënësi i këtij institucion thotë që ky qytet ka traditë për universitet.

“Është mirë këtu mu përmend fakti që Mitrovica ka traditë 60-vjeçare, ka një traditë të gjatë, ka kuadro që kanë mbajtur shtyllën e industrisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Jasharit vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e këtij universiteti është i gabuar. Madje, përmend edhe investimet që po bëheshin në këtë universitet.

“Ajo çka ka ndodhur është një absurd i llojit të veçantë, këtu po investohet miliona euro për ngritjen e një kampusi universitar e po ashtu të njëjtën kohë merret një vendim që na pamundëson regjistrimin e studentëve të rinj”, ka thënë Jashari për InDoks.

Gazeta Online Insajderi ka publikuar gjetjet që ekspertët ndërkombëtare kanë bërë në këtë universitet.

Ekipi i Ekspertëve, i përbërë nga rumunet Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, ka bërë gjetje se 53 për qind e deklaratës së misionit të Universitetit “Isa Boletini” ishte kopjuar në mënyrë identike nga një tjetër universitet publik kosovar.

Përveç kësaj ata kanë gjetur edhe mangësi në stafin akademik , ku shumica e të punësuarve në këtë universitet publik, sipas raportit, nuk kanë përshkrim të punës. Për këtë arsye, Ekipi i Ekspertëve të AKA-s rekomandon universitetin “të sigurojë që të gjitha kualifikimet e personelit të përmbushin përshkrimin e tyre të punë.

InDoks në dokumentarin “Shesim diploma”, do të zbulojë prapaskenat e krijimit të këtyre universiteteve publike. Prapaskenat e funksionimit të universiteteve private. Do të zbulohen dokumente të pa para më herët nga publiku. Do të flasin ata që i drejtojnë këto institucione dhe ata që paralajmëruan shumë herët për krimet që po ndodhnin në arsim.