Vodhën edhe deklaratën e misionit – arsyet pse nuk u akreditua Universiteti ku Prodekane është Lumnije Thaçi

Ekipi i Ekspertëve, i përbërë nga rumunet Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, gjeti se 53 për qind e deklaratës së misionit të Universitetit "Isa Boletini" ishte kopjuar në mënyrë identike nga një tjetër universitet publik kosovar. 

Vodhën edhe deklaratën e misionit – arsyet pse nuk u akreditua Universiteti ku Prodekane është Lumnije Thaçi

Vjedhja e deklaratës së misionit – dokumentit më të rëndësishëm të një universiteti – ka qenë njëra prej arsyeve kryesore që bindi ekspertët e huaj të angazhuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA), për të mos e akredituar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Ekipi i Ekspertëve, i përbërë nga rumunet Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, gjeti se 53 për qind e deklaratës së misionit të Universitetit “Isa Boletini” ishte kopjuar në mënyrë identike nga një tjetër universitet publik kosovar.

Pjesa tjetër e deklaratës së misionit të Universitetit është manipuluar me sinonime, thuhet në raportin e përpiluar nga dy ekspertët e angazhuar nga AKA, të cilin e ka siguruar Insajderi.

“Deklarata e misionit të UMIB-it është 53% identike (e kopjuar, sipas mjetit të krahasimit të fjalëve në Microsoft) me deklaratën e misionit të një universiteti tjetër publik në Kosovë, ndërsa pjesa më e madhe e fjalëve të mbetura janë sinonime”, thuhet në raportin e AKA-s për Universitetin e Mitrovicës.

Po ashtu, në vizitën inspektuese që ekspertet e angazhuara nga AKA kanë bërë në Universitetin e Mitrovicës më 9 dhe 10 prill, është gjetur se ka mangësi në rekrutimin e personelit administrativ dhe akademik.


Një pjesë e raportit 30-faqësh të AKA-s për Universitetin e Mitrovicës

Shumica e të punësuarve në këtë universitet publik, sipas raportit, nuk kanë përshkrim të punës.

Për këtë arsye, Ekipi i Ekspertëve të AKA-s rekomandon universitetin “të sigurojë që të gjitha kualifikimet e personelit të përmbushin përshkrimin e tyre të punës”.

Ndonëse ka ndërtuar një objekt të ri, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” vuan për hapësira rekreative dhe sportive. Nuk ofron as strehim për studentët e saj.

“Universiteti nuk ka hapësira rekreative, kafene, objekte sportive, shërbime mjekësore dhe nuk ofron strehim për studentët e saj”, thuhet në raportin e Ekipit të Ekspertëve.

Raporti ka gjetur edhe një sërë shkeljesh të tjera, përfshirë mungesën e zyrave që mundësojnë zhvillimin e karrierës së studentëve të diplomuar, mangësitë në përpilimin e raporteve financiare etj.

Kush janë udhëheqësit e Universitetit të Mitrovicës, të lidhur me parti politike?

Ish-sekretari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Alush Musaj dhe Ali Sadiku, xhaxhai i ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha-Sadiku, janë dy nga drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilit të hënën iu hoq akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Alush Musaj është rektor i Universitetit “Isa Boletini”. Rektori Musaj më parë ka qenë sekretar i degës së PDK-së në Mitrovicë. Ka qenë drejtor i inspeksionit në mandatin e Bajram Rexhepit si kryetar i Komunës së Mitrovicës, shkruan Insajderi.

Ai është rektori i parë i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, pasi në vitin 2013 fillimisht ishte zgjedhur si ushtrues detyre në kohën kur është themeluar ky universiteti.

Prodekane e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Universitetin “Isa Boletini” është Lumnije Thaçi, Zonja e Parë e shtetit dhe bashkëshortja e Hashim Thaçit.

Ndërkaq, Ali Sadiku, i cili është xhaxhai i ministres nga radhët e PDK-së, Dhurata Hoxha-Sadiku, është prorektor për Buxhet dhe Financa në këtë universitet publik.


Foto: Ali Sadiku

Numrin prej tre prokrektorëve të Universitetit Publik të Mitrovicës e plotësojnë Rifat Morina dhe Izet Zeqiri. Morina është prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim të Cilësisë, ndërkaq Zeqiri ushtron detyrën e rektorit për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore.

Për të gjitha këto shkelje dhe detaje ekskluzive lidhur me Universitetet Publike në Kosovë, mund të mësoni të dielën në emisionin dokumentar InDoks.