Prej pasdites të 5 nëntorit kur u dha lajmi se në qendrën e paraburgimit në Prizren, kishte vdekur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që mbahej nën dyshimet se kishte bashkëorganizuar sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, qytetarët kosovar janë përballur me deklarata mbi fajtorët, akuza për vrasje dhe së fundmi një raport zyrtar, përfundimtar.
Por kjo nuk ka qetësuar partinë të cilës i përkiste Astrit Dehari, i cili sipas raportit zyrtar, ka bërë vetëvrasje.
Ky raport nuk ka qetësuar as një pjesë të shoqërisë civile, të cilët të enjten në mesditë dolën në një marshim 26 minutësh që lidhet me moshën e Deharit.
Kërkesa është e thjeshtë: #drejtësipërAstritin.
E kjo kërkesë, përtej deklaratave politike të partisë Vetëvendosje, ka pasur një formë tjetër të presionit për të gjetur të vërtetën, që VV insiston të jetë e kundërta e asaj çfarë autoritet zyrtare kanë dhënë si version për vdekjen e tij.
Kjo formë ka qenë marshimi. Për 19 ditë janë mbajtur 7 marshime nëpër qendra të ndryshme të Kosovës dhe tubime e përkujtime në qendra tjera evropiane.
I pari ishte mbajtur në ditën e varrimit të Deharit, me 8 nëntor, tri ditë pasi kishte vdekur.
Mijëra qytetarë kishin marshuar prej Bibliotekës Kombëtare deri tek Teatri Kombëtar, aty ku arkivoli i Deharit ishte vendosur për t’i bërë homazhet para se të varrosej.
I fundit, është mbajtur mesditën e së enjtes, gjashtë ditë pasi u publikua raporti i autopsisë për vdekjen e Deharit.
Qindra persona dolën në një marsh për të kërkuar sipas tyre #drejtësipërAstritin.
Në ndërkohë që deklaratat e avokatit e politikanëve të pozitës e opozitës që akuzonin njëra tjetrën, për të vërtetën e vdekjes së tij, thirrja për drejtësi ishte shtrirë edhe në shumë qytete evropiane, në të cilat ka bazë të aktivistëve Lëvizja Vetëvendosje.
Fiks në nëntë qytete evropiane, sipas të dhënave të Vetëvendosjes, janë mbajtur homazhe e mbledhje komemorative në nderim të Deharit, teksa të njëjtën gjë por përmes marshimeve e kishin bërë edhe qytetarë, aktivistë e pjesëtarë të shoqërisë civile nëpër qytetet kosovare.
Me 18 nëntor Gjilani ishte bërë qyteti i parë jashtë Prishtinës, ku qytetarët kishin dalë për të marshuar për të kërkuar drejtësi për vdekjen. Pikërisht në këtë ditë, autoritetet kosovare kishin dalë me raportin e autopsisë.
Ky raport, kishte vënë në pah pavërtetësinë e deklaratave të të dyja palëve, prej asaj të ish-liderit të VV-së Albin Kurti e deri tek ato të autoriteteve policore që qysh në orët e para të dhënies së lajmit, kishin thënë se Dehari ka vdekur prej medikamenteve.
Një paqartësi e tillë e deklaratave krijoi hapësirë të madhe për të rënduar akuzat e VV-së ndaj autoriteteve dhe në të njëjtën kohë kishte shtuar zërat e partive në pushtet, që akuzojnë VV-në se po e përdorte këtë rast për të përfituar politikisht.
Në këtë, të paqartë rreth kësaj vdekje mbesin qytetarët, një pjesë e të cilëve vendosën të dalin në rrugë, nëpër qytetet e tyre për të marshuar, me kërkesën e njëjtë.
Pas Gjilanit, ishte Mitrovica qyteti në të cilën qytetarë të shumtë me 19 nëntor kishin dalë në marsh.
Tashmë pankartave “Drejtësi për Astritin” i ishin shtuar edhe thirrjet e tjera sikurse “Pa drejtësi nuk ka qetësi”. Kjo thirrje ishte vendosur edhe në marshimet në qytetet e tjera sikurse Ferizaj, Peja, Prizreni e Prishtina.
Marshime ishin mbajtur edhe në Kumanovë, në vendlindjen e prindërve të Deharit, të cilët kishin emigruar në Zvicër, e më pas, ishin kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.
Ndërsa në qytetet evropiane si Oslo, Vjene, Berlin, Sandes, Frankfurt, Namur, Londër, Gothenburg e Zurich janë mbajtur mbledhje komemorative dhe është përkujtuar Dehari.
Astrit Dehari ishte paraburgosur nën dyshimin se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit më 4 gusht të këtij viti.
Pas publikimit të rezultateve zyrtare për vdekjen e tij, që doli të jetë asfiksia, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ndërmori masa duke e suspenduar ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, dhe tre zyrtarë tjerë.
Rezultatet e autopsisë nuk i pranuan as familja por as Lëvizja Vetëvendosje, duke kërkuar kështu hetim të pavarur ndërkombëtar. Madje ata kërkonin ndërprerjen e hetimeve, pasi që nuk besonin në një hetim të pavarur.
Në procesin e analizave të autopsisë ishin të pranishëm edhe ekspertë të pavarur që ishin caktuar nga vetë familja.
Për t’i hequr të gjitha dilemat e mundshme rreth hetimit të paanshëm në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kishte kërkuar nga ambasada britanike që rastin ta hetojnë policia britanike “Scotland Yard”.
Por Ambasada nuk kishte pranuar të përfshihej në këtë rast, duke thënë se nuk ka të bëjë asgjë më Britaninë. Megjithatë, ambasada ishte shprehur e gatshme t’i mbështeste organet e drejtësisë në rast nevoje.
Familja e Deharit, që ka humbur edhe një djalë tjetër me të njëjtin version zyrtar, vetëvrasje, së fundmi kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe atij të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.
Këtë e kërkon edhe Vetëvendosje dhe shoqëria civile që organizoi marshin e shtatë.
Lëvizja Vetëvendosje kishte dështuar dy herë t’i mbledhë 40 nënshkrime të deputetëve për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar për rastin.
Pas protestës së sotme, ka nisur mbledhja e nënshkrimeve të qytetarëve për caktimin e një seance të jashtëzakonshme për rastin Dehari./Insajderi.com
Në OKB kërkohet hetim i pavarur për vdekjen e Astrit Deharit