Dy orë pasi djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti, reagoi nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka fshirë grafitin e Ukshin Hotit për ta zëvendësuar me atë të Astrit Deharit, ka ardhur reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Frashër Krasniqi, nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar duke e quajtur gënjeshtër pretendimin e djalit të veprimtarit të zhdukur.
“Andini, i cili është edhe anëtar i PDK-së dhe punon pikërisht në Ministrinë e Kulturës, e di mirë që grafitet e shkruara në këtë ndërtesë janë fshirë me urdhra të kësaj Ministrie, pasi që për mirëmbajtjen (lyerjen) e ndërtesës përkujdeset dhe e bënë vetë Ministria”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, është tejet shqetësuese kur “plasohet një gënjeshtër publike, e aq më shumë kur e njëjta bëhet duke keqpërdorur emrat e heronjve”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk i ka fshirë grafitet e Ukshin Hotit, dhe një gjë të tillë nuk do ta bëjë asnjëherë ndaj asnjë grafiti që kërkon drejtësi, E sidomos për Ukshin Hotin, i cili mbetet njëri nga mendjet më të ndritura shqiptare”, ka shkruar zëdhënësi i Vetëvendosjes që gjendet në arrest shtëpiak nën akuzën për sulm të objektit të Kuvendit të Kosovës.
Ai është përgjigjur edhe deklaratave të Andin Hotit, që akuzonte VV-në për dyftyrësi për përdorim të emrit të Ukshin Hotit.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! përveçse e ndjek platformën e Ukshin Hotit, në vazhdimësi ka kërkuar që të zbardhet fati i tij. Kurse Qeveria e Kosovës, as nuk e ndjek rrugën e tij, e për fat të keq nuk ka bërë asnjë hap për zbardhjen e fatit të tij dhe mijëra të zhdukurve gjatë luftës”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas Krasniqit, është për keqardhje keqpërdorimi i emrit të Ukshin Hotit nga i biri i tij, Andini./Insajderi.com
Djali i Ukshin Hotit e quan marrëzi zëvendësimin e grafitit të babait me atë të Astrit Deharit