
Eneo, 6-vjeç, të mërkurën nuk ka mundur ta takojë të atin. As ta përqafojë. As t’i bëjë dhuratë për ditëlindjen.
Ata jënë të ndarë fizikisht prej muajsh. I ati në burg, duke vujtur dënimin prej tri vjetësh për krime lufte, dënim ky i shqiptuar pas një procesi gjyqësor krejtësisht kundërthënës dhe me shkelje ligjore.
Megjithatë, Eneo i ka dërguar një mesazh babait të tij: “Babi im është hero. Me dashuri Eneo”, mesazh të cilin e ëma e ka futur në një kornizë druri për t’ia dërguar Nexhat Demakut, ditën që do ta vizitojë në burg.
Demaku, po vuan një dënim për krime lufte, të shqiptuar bazuar në dëshmi dhe proces gjyqësor të parregulltë.
Ai, bashkë me tre vëllezërit – Jahirin, Zeqirin dhe Fadilin, të gjithë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar për krime lufte.
Avokati Artan Çerkini, që e kishte mbrojtur Isni Thaçin, kishte treguar se si përfundoi ky proces edhe në gjykatën më të lartë në vend, Gjykatën Kushtetuese.
“Gjatë analizimit të vendimeve gjyqësore dhe pas daljes së provave të reja kemi ardhur deri tek përfundimi se në rastin ‘Drenica 2’ përkatësisht në gjykimin e kësaj çështje ka pasur shkelje kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me gjykimin e drejtë të pa anshëm, kjo e drejtë garantohen me kushtetutë dhe konventën evropiane”, kishte thënë ai.
Sipas tij, që në momentin kur ishin caktuar gjyqtarët ishte bërë shkelje e dokumenteve që EULEX-i i kishte miratuar për punën e vetë.
“Çështja e parë të cilën e kemi ngrit është çështja e ligjshmërisë të së drejtës kushtetuese si mision e ka pasur një rregullore mbi bazën e të cilave është formuar trupi gjykues. Trupi gjykues i formuar në rastin ‘Drenica 2’ nuk ishte formuar në bazë të rregullores së EULEX-it, sepse bazuar në rregullore ne kemi ardh deri tek përfundimi se anëtarët e trupit gjykues është dashur të jetë Mariola Pasnik, anëtare e trupit gjykues mirëpo nuk ka qenë kjo po Anna Adamska Galant”, kishte thënë ai.
Çerkini kishte thënë se kryetarja e trupit gjykues përveç që ishte caktuar në kundërshtim me rregulloret e EULEX-it, doli më vonë se ajo dyshohet se kishte edhe urrejtje ndaj të akuzuarve dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi.
Kjo bazohet në e-maile të ish-presidentit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simons. Në këto e-maile që i posedon InDoks thuhet se kryetarja e trupi gjykues në rastin “Drenica” të akuzuarve u është referuar si “kafshë”, derisa i ofendonte shqiptarët në përgjithësi.
Ky ish-gjyqtar i EULEX-it kishte shpërthyer me akuzat e tij edhe për raste të tjera të gjykuara nga EULEX-i derisa edhe vetën e përshkruante si viktima e drejtuesve të misionit duke thënë që të njëjtin e kishin angazhuar kriminelë që të futeshin ilegalisht në adresën e tij private të postës elektronike duke ia vjedhur komunikimet.
Në këto komunikime ai i njofton shefat e tij se “EULEX-i është duke i ndjekur ish-komandantët UÇK-së, BE-ja po punon shumë që të impresionojë Serbinë dhe të mbajë gjallë dialogun Prishtinë-Beograd.
Simons tutje në intervistat e tij kishte thënë edhe se “EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë”.
Këto akuza të Simons, kishin bërë këtë mision që të reagonte.
“Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, thuhej ndër të tjera në reagimin e EULEX.
Sidoqoftë, Eneo nuk di asgjë për prapaskenat e këtij procesi gjyqsor. Ai, thjeshtë e di që i ati i tij është hero. Të tillë e cilëson ai./Insajderi.com