EULEX-i kundër Drenicës

Ende pa përfunduar rasti Kleqka, prokurori Maurizo Salustro kishte filluar hetimet për pjesëtarët e UÇK-së të zonës së Drenicës. Ai pretendonte se kishte gjetur fakte se këta ish-pjesëtar të UÇK-së, kishin kryer krime lufte. Këto pretendime të prokurorit Italian, bënë që këta të dyshuar në maj të viti 2013, të ftoheshin para gjykatës.

EULEX-i kundër Drenicës

U thirrën e shumë komandantë të kësaj force guerile, dhe shumë dëshmitarë. Në shumë seanca që do të mbaheshin, do të prezantoheshin pak prova për këtë rast nisi dhe e përfundoi deri diku misioni EULEX.

Disa nga të akuzuarit mbajtën vite e vite burg për të dalë më vonë të pafajshëm. Krejt procesi po kontestohet që nga pika zero e tij. Edhe dëmshpërblime janë kërkuar e pritet që të kërkohen nga të akuzuarit.

InDoks në një dokumentar do t’i kthehet rastit “Drenica” për të parë se ku gaboi, ndoshta edhe me qëllim EULEX-i, e ku në emër të drejtësisë u shkel ajo.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

Sot, shtatë vite pas nisjes së këtij rasti provat e reja tregojnë që më shumë se sa një hetim për krime lufte ky ishte një mision i ELEX-it kundër disa individëve të UÇK-së së paku. Apo, duket që ishte EULEX-i kundër Drenicës, njërës nga zonat që kishte bërë rezistencën më të madhe në luftën e fundit.

Sami Lushtaku që ishte përballur me vite me EULEX-in dhe akuzat e tyre për krime lufte, në fund nga Gjykata Supreme u la i lirë. Fillimisht ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore në veri të Mitrovicës dhe me 7 vite burg nga Apeli. Supremja i rrëzoi të gjitha këto akuzat.

Lushtaku për InDoks tha se ka qenë padrejtësi e madhe që u është bërë të akuzuarve në këtë rast dhe UCK-së.

“Me argumente  edhe sot edhe nesër  absolut  e pranoj çdo kohë , dënimet që janë bërë në Kosovë e vazhdojnë kjo është një e padrejtë e madhe që është duke u bërë ndaj nesh dhe ndaj UÇK-së”, ka thënë Lushtaku.

FOTO/Sami Lushtaku

Pos si komandat i UÇK-së e i shenjtëruar nga EULEX-i, Lushtaku thotë se ishte edhe dikush tjetër që po e ndiqte atë.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

“Në rastin që unë jam dënuar më 12 vite ka qenë një absurd i kohës dhe ndoshta i pamenduar deri më tani, mu dënu dikush  12 vite me një dëshmitar edhe pa e ditur emrin kjo nuk e besoj që ka ndodhë jo vetëm në Kosovë po në histori të drejtësisë. Unë  mendoj që ne kemi qenë shënjestër e shërbimeve serbe dhe me ndihmen e  EULEX edhe jemi arrestuar edhe akuzu edhe dënu, pavarësisht asaj që ka ndodhë nuk është lehtë që me qëndru  katër vite në burg pa e ditë se për çka je në burg”, shtoi Lushtaku.

Avokati, Arianit Koci që e ka mbrojtur Lushtakun ka bërë kërkesë për dëmshpërblim për klientin e tij.

“Tash për momentin nuk po me kujtohet është një shumë e konsiderueshme sipas kriterve ligjore dëmet i ka kërkuar në të gjitha shkallët të cilat i përcakton ligji”, tha Koci.

Vet Lushtaku thotë se dëmshpërblimi i kërkuar nga shteti nuk ia kthen atij kohën e kaluar në burg.

“Për mu nuk ka pare që ma kthen atë pjesë të jetës time, s’ka hiç, ka thënë Lushtaku.

Koci ka një koment interesant se si e ka parë ai krejt këtë rast që nga fillimi.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

“Aktakuza kundër Sami Lushtakut dhe grupit ‘Drenica’ është i turpshëm, më i dobëti që ka bërë ndonjëherë EULEX-i, çdo dëshmitar është keqpërdorur edhe janë keqinterpretua intervistat dhe kur nuk kanë mundur me nxjerr një brum të caktuar për ngritje të aktakuzës në rastin e Samisë, ironi ma e madhe ai dëshmitari i mbrojtur paraqitet kundër Lushtakut në tri raste një dëshmitar kujdestar për çdo rast ata e kanë pasur një strategji me fillu 2-3 procedura kundër Lushtakur me ja humb baraspeshën  me procedu me nxjerr një avantazh”, tha Koci.

Koci thotë se ka qenë i përgjuar lidhur me strategjinë e mbrojtjes së Lushtakut ndërkohë që EULEX-i sipas tij me çdo kusht dëshironte t’i dënonte të akuzuarit e këtij rasti.

“Asnjë provë Prokuroria nuk ka mundur me na prezantuar, ata kanë mendu me ndërtu rast me dëshmi jo të vërteta. Asnjë dëshmitar nuk e ka ngarkuar Lushtaku përpos dëshmitarit të mbrojtur i cili është dëshmitar kujdestar në të tri raste”, shprehet Koci.

FOTO/ Avokati Arianit Koci

Përvec Lushtakut, në rastin “Drenica”, për krime lufte të kryera ndaj civilëve, të kryera nga pranvera 1998 deri në pranverën 1999, janë gjykuar edhe Sabit Geci, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Jahir Demaku, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi. Në mungesë të provave të gjithë janë shpallur të pafajshëm.

Në këtë rast u dënuan ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri dhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi, Ish-Kryetari i Komunës së Drenasit Nexhat Demaku, vëllai i tij që ishte njëri nga ish-drejtuesit më të lartë të ShIK-ut, Fadil Demaku, Zeqir Demaku si dhe vëllezërit Selman, Driton, Bashkim dhe Agim Demaj.

Tashmë rasti është komplikuar pasi disa kanë mbetur në burg, të tjerë janë në liri, dikush është shpallur krejtësisht i pafajshëm e derisa në lëndë janë implikuar në krejt nivelet e gjykatave. Edhe tek Gjykata Kushtetuese.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

Janë bërë vendime e vendime, por një gjë mbetet ende e paqartë: pse nuk është nisur ende asnjë hetim ndaj atyre që i hetuan, akuzon e gjykuan pjesëtarët e këtij grupi.

Avokati Artan Qerkini, që e kishte mbrojtur Isni Thaçin, tregon këtë proces dhe si përfundoi ai duke u trajtuar edhe në gjykatën më të lartë në vend, Gjykatën Kushtetuese.

“Gjatë analizimit të vendimeve gjyqësore dhe pas daljes së provave të reja kemi ardhur deri tek përfundimi se në rastin “Drenica 2” përkatësisht në gjykimin e kësaj çështje ka pasur shkelje kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me gjykimin e drejtë të pa anshëm, kjo e drejtë garantohen me kushtetutë dhe konventën evropiane”, tha ai.

Sipas tij, që në momentin kur ishin caktuar gjyqtarët ishte bërë shkelje e dokumenteve që EULEX-i i kishte miratuar për punën e vetë.

“Çështja e parë të cilën e kemi ngrit është çështja e ligjshmërisë të së drejtës kushtetuese si mision e ka pasur  një rregullore mbi bazën e të cilave është formuar trupi gjykues. Trupi gjykues i formuar në rastin  “Drenica 2” nuk ishte formuar në bazë të rregullores së EULEX-it,sepse bazuar në rregullore ne kemi ardh deri tek përfundimi se anëtarët  e trupit gjykues është dashur të jetë Mariola Pasnik, anëtare e trupit gjykues mirëpo nuk ka qenë kjo po Anna Adamska”, tha ai.

FOTO/Avokati Artan Qerkini

Qerkini thotë se kryetarja e trupit gjykues përveç që ishte caktuar në kundërshtim me rregulloret e EULEX-it, doli më vonë se ajo dyshohet se kishte edhe urrejtje ndaj të akuzuarve dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

Avokati Qerkini flet për këto e-maile të ish-presidentit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simons. Në këto e-maile që i posedon InDoks thuhet se kryetarja e trupi gjykues në rastin “Drenica” të akuzuarve u është referuar si “kafshë”, derisa i ofendonte shqiptarët në përgjithësi.

Ky ish-gjyqtar i EULEX-it kishte shpërthyer me akuzat e tij edhe për raste të tjera të gjykuara nga EULEX-i derisa edhe vetën e përshkruante si viktima e drejtuesve të misionit duke thënë që të njëjtin e kishin angazhuar kriminelë që të futeshin ilegalisht në adresën e tij private të postës elektronike duke ia vjedhur komunikimet.

Në këto komunikime ai i njofton shefat e tij se “EULEX-i është duke i ndjekur ish-komandantët UÇK-së, BE-ja po punon shumë që të impresionojë Serbinë dhe të mbajë gjallë dialogun Prishtinë-Beograd.

Simons tutje në intervistat e tij kishte thënë edhe se “EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë”.

Këto akuza të Simons, kishin bërë këtë mision që të reagonte.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

“Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, thuhej ndër të tjera në reagimin e EULEX.

Rasti “Drenica” ishte ndarë në dy procese gjyqësore më vonë. Avokati Qerkini që e çoi rastin “Drenica” deri në Gjykatën Kushtetuese thotë se gjykimi ndaj tyre ishte i anshëm.

Ndërsa për Gjykatën Supreme qerkini thotë se për njërin nga rastet dha vendim që të kthehet në rigjykim, kurse për rastin tjetër nuk e bëri këtë, derisa rasti është i njëjtë veç i ndarë në dy procese të ndryshme.

“Kemi shkelje të parimit të gjykimi nga një trup gjykues i themeluar sipas ligjit, ndërsa në analogji pra në rastin ‘Drenica 2’ një tjetër  kolegj gjyqtarët i Gjykatës Supreme edhe pse me rastin ‘Drenica 2’ të tre gjyqtare kanë qenë gjyqtarë ndërkombëtar  te rasti ‘Drenica 1’ . Po të dy rastet  kanë qenë akuza për krime lufte kundër popullatës , krahsuar në faktet e rastit ne jemi të mendimit se dy vendimet të ndryshme , faktet e njëjta qytetarët përkatësisht të akuzuarit në rastin drenica 1 janë vendos në një situatë të pabarabarte, parim  që ka vlejt për të gjykuarit për ‘Drenica 1’ nuk ka vlejtur  për te pandehurit ne rastin ‘Drenica2’  këtu është shkel parimi i barazisë i cili garantohet me kushtetutë të Kosovës”, vazhdon Qerkini.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

Për këtë cështje për InDoks ka folur edhe me kryetarin e këtij institucioni Enver Peci, më i larti në rangun e gjykatave të rregullta në vend.

“Këto raste kanë ardhur sipas kërkesës si mjet i jashtëzakonshëm juridik, gjithsej janë trajtuar tri herë rastet , dy rastet e para kanë qenë kompentecë e EULEX-it e kolegjit të përzir dhe rasti i fundit që u vendos, është vendos prej gjyqtareve vendor sepse ka përfunduar  misioni i EULEX-it  dhe ka rezultuar si pasojë e anulimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme nga ana e kushtetuese. Në këtë rast  është referuar kërkesa,  një rast kolegji ka miratuar kërkesën dhe ka kthyer njëra nga ‘Drenica’, janë dhe u kthy në rivendosje për shkak unë sa e di çështje procedurale jo mënyrë e rregullt e trupit gjykues. Ndërsa për pjesët të tjera sa i përket vërtetimit të fakteve të gjendjes faktike provave nuk hy në vlerësimin e  prentendimeve të tjera sa i përket pretendimit  të ankesave të palëve apo mbrojtësve të tyre”, ka thënë Peci.

Ai megjithatë nuk ka një përgjigje direkte se pse ndodhi që në një rast shumë të ngjashëm dolën nga Gjykata Supreme dy vendime krejt të ndryshme.

“Unë fillimisht dëshiroj me ju thënë se nuk mundem me u përzi në kompentcat e vendimmarrjes së gjyqtareve sa i përket rastit, në praktikë gjyqësore ndodh që ka mendime të ndryshme për një situatë të ngjajshme, në bazë të dispozitave duhet qëndrime juridike që dalin me mendime të ndryshme për çështje përafërshisht të ngjashme”, thekson Peci.

Gjykata Kushtetues edhe kur gjeti që edhe në Supreme nuk ishte trajtuar krejt në rregull ky rast, por gjeti shkelje edhe në shkallët tjera të gjyqësorit ku u trajtua ky rast, vendosi megjithatë që vendimin prapë ta kthente në Supreme, dhe jo aty ku ishin gjetur shkeljet.

FOTO/Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

Pas shumë seancave e shumë parave të shpenzuara në hetim, EULEX-i më në fund kishte arritur që në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ta merrte një vendim që i shpallte fajtor për rastin “Drenica”, Sylejman Selimin që u dënua me 7 vjet burg.

Ai u dënua për trajtim mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës, në ambientet e ndalimit të UÇK-së në Likoc të Skenderajt, gjatë periudhës gusht dhe shtator 1998. Për të njëjtën vepër, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 6 vjet burg secili. Për veprën penale të keqtrajtimit të personave të ndaluar janë dënuar edhe Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku, dhe Nexhat Demaku.

Por, krejt ky proces ishte zhvilluar pa prova materiale, vetëm në dëshmitarë. Këta dëshmitarë i diskreditonte në vazhdimësi mbrojtja e të akuzuarve. Për së pakun njërin prej tyre ishin ngritur dyshime serioze se kishte probleme serioze psikike. E bash këta dëshmitarë EULEX-i kishte shpikur në proces e tutje një term që as nuk ekzistonte në atë kohë në Kodin Penal të Kosovës, “Dëshmitarin armiqësor”.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë

Krejt dëmi që e bëri EULEX-i më procesin “Drenica” tash duhet ta paguaj shteti i Kosovës. Një pjesë e këtij rasti po kthehet në rigjykim e pjesa tjetër po sfidohet në Gjykatën Kushtetuese e Supreme me shpresë që të kthehet edhe ajo në rigjykim.

Sami Lushtaku nuk është i vetmi që deri tash ka parashtruar kërkesë për dëmshpërblim. Edhe disa të akuzuar të tjerë që tashmë janë liruar në faza të mëhershme të gjykimit.

VIDEO: Duke klikuar këtu mund ta shihni dokumentarin e plotë