Daka shkon te Thaçi ta marr ‘bekimin’ për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve

Daka shkon te Thaçi ta marr ‘bekimin’ për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, është njoftuar se kryetarja e Këshillit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, është takuar sot me presidentit Hashim Thaçi, shkruan Gazeta Insajderi.

Takimi është realizuar për t’i certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot Kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, me të cilën ka biseduar për procesin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, që t’i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të qeverisë së re të Kosovës”, thuhet në komunikatë dërguar medieve.

Po ashtu kryetarja Daka e ka njoftuar Presidentin Thaçi për hapat për përmbylljen e procesit të numërimit të votave dhe certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në fillim të këtij muaji.

“Presidenti Thaçi ka vlerësuar Kryetaren Daka për punën, integritetin dhe profesionalizmin e KQZ-së në menaxhimin e procesit të përgjithshëm elektoral”, përfundon komunikata.

Ndonëse, Lëvizja Vetëvendosje, ka dërguar kërkesë në Gjykatën Supreme, për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora në Kosovë jashtë afatit kohor ligjor, një vendim nga kjo gjykatë nuk e ka pritur Daka. Kërkesa fillimit ishte dërguar në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por ishte kthyer si kërkesë e pabazë. / Insajderi.com