Margarita Kadriu, deputetja që fitoi terminal doganor

Margarita Kadriu, deputetja që fitoi terminal doganor

Ish-nënkryetarja e PDK-së, Margarita Kadriu, që dikur njihej si kritikuese e ashpër e Isa Mustafës, duket se ka përfituar jo-pak nga ai.

Deputetja Kadriu ka arritur të marrë licencë për hapjen e një Terminali Doganor për kompaninë e babait të saj “City Park”, nga qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet prej dy vitesh nga Isa Mustafa.

Siç kishte raportuar Insajderi në muajin prill të këtij viti, licencën për hapjen e terminalit, Kadriut ia kishte nënshkruar Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

E këtë terminal ish-deputetja e PDK-së dyshohet se e kishte fituar, pas votës pro zgjedhjes së Hashim Thaçit President të Kosovës, në kuvend.

Insajderi kishte zbuluar se Qeveria e koalicionit PDK-LDK, vetëm dy muaj para se të votohej në Kuvendin e Kosoës për zgjedhjen e Hashim Thaçit President të Kosovës, kishte ndryshuar bazën ligjore për t´iu përshtatur kompanisë “City Park“.

Shteti i përshtatet familjes së Margarita Kadriut

Kjo kompani në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të deputetes Margarita Kadriu, mori licencën për terminal të mallrave në fillim të vitit 2016.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së Naser Osmani, i cili është kryetar i Komisionit për Financa në Kuvendin e Kosovës, mohon çdo mundësi që këto licenca publike të jenë përdorur për pazare politike.

“Terminalet nuk janë përdoru në atë kuptim. Nuk konsideroj që ka mundur të bëhet ndonjë veprim nëpër terminale që të votohet presidenti apo kushdo qoftë”, thotë Osmani në një intervistë për “Zona Express”, shkruan Insajderi.

Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës, nënshkroi në dhjetor të vitit 2015 udhëzimin e ri administrativ për licencimin e terminaleve. Kriteret në këtë udhëzim janë më të lehta, të cilat u plotësuan nga kompania “City Park”. Kriteret e përcaktuara në udhëzimin e vjetër, të vitit 2013, ishin të paarritshme për këtë kompani. /Insajderi.com