fbpx

Shteti i përshtatet familjes së Margarita Kadriut

Insajderi ka zbuluar se qeveria e koalicionit PDK-LDK ka ndryshuar bazën ligjore për licencimin e terminaleve në mënyrë që të jetë e përshtatshme për kompaninë “City Park”, në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të Margarita Kadriut. Ndryshimi ka ndodhur vetëm dy muaj para votimit të Hashim Thaçit për president.

Shteti i përshtatet familjes së Margarita Kadriut

Margarita Kadriu po bënte më shumë se katërmbëdhjetë muaj prej se kishte dhënë doreheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.

Por, më 26 shkurt të këtij viti, kishte vendosur që të qendronte në sallën e Kuvendit për t´i bërë kuorumin Hashim Thaçit, gjatë votimit për president. Deputetja e pavarur kishte vendosur që publikisht t´i bënte këtë favor Thaçit.

Por një favor të madh kishte përfituar edhe biznesi i familjes së saj. Gjërat në prapaskenë kishin lëvizur në favor të kompanisë “City Park”.

Insajderi ka zbuluar se Qeveria e koaliconit PDK-LDK, vetëm dy muaj para se të votohej për Thaçin, kishte ndryshuar bazën ligjore për t´iu përshtatur kompanisë “City Park“.

Kjo kompani në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të deputetes Margarita Kadriu, mori licencën për terminal të mallrave në fillim të vitit 2016.

Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës, nënshkroi në dhjetor të vitit 2015 udhëzimin e ri administrativ për licencimin e terminaleve. Kriteret në këtë udhëzim janë më të lehta. Plotësohen nga kompania “City Park”. Kriteret e përcaktuara në udhëzimin e vjetër, të vitit 2013, ishin të paarritshme për këtë kompani.

Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë përgjigje për Insajderin lidhur me kriteret e udhëzimit të ri që i përshtaten kompanisë së Kadriut. Ministri Lutfi Zharku ka refuzuar kërkesën për intervistë të Insajderit. Kjo ministri ka konfirmuar vetëm faktin se terminali i mallrave “City Park”, është licencuar më 2016 dhe se kjo licencë ka afat validiteti deri më 2021.

Përgjigje nuk ka dhënë edhe deputetja Margarita Kadriu. Insajderi ka dërguar pyetje në e-mailin e deputetës si dhe në e-mailet e bizneseve në pronësi të familjes Kadriu.

Zharku

Ministri Zharku duke nënshrkuar udhëzimin e ri administrativ

Shfuqizimi i tri kritereve që i hapën rrugë biznesit të familjes Kadriu

Udhëzimi i ri administrativ për licencimin e terminaleve të mallrave ka hyrë në fuqi më më 17 dhjetor të vitit 2015. Tri kërkesa të udhëzimit të vjetër, të 2013-es, nuk figurojnë më.

Në udhëzimin e vjetër administrativ kërkohej që aplikuesi të ketë plato të hapur prej 10 mijë metrash katrorë dhe depo prej 2 mijë metrash katrorë. Ndërsa udhëzimi i ri kërkon që aplikuesi të ketë plato prej vetëm 5 mijë metrash katrorë dhe depo prej vetëm 1 mijë metrash katrorë.

udhezimi

Udhëzimi i ri

Po ashtu me udhëzimin e ri nuk kërkohet që aplikuesi të ketë leje ndërtimore të lëshuar nga autoritetet komunale si dhe nuk kërkohet që te ketë minimum 50 parkingje. Kërkohet që të ketë vetëm 30 parkingje.

Udhëzimi i vjetër kërkonte edhe lejen ndërtimore për terminal të lëshuar nga autoritetet komunale. Kjo kërkesë nuk figuron në udhëzimin e ri.

Mos plotësimi i këtyre tri kritereve të rëndësishme kishte qenë shkas i refuzimit të kërkesës për licecim të `”City Park”, në  vitin 2014.

udhezimi 2 udhezimi 3

Udhëzimi i vjetër

Arsyet e refuzimit të licencës për terminal të mallrave

Kompania “City Park”, më 14 korrik të vitit 2014, kishte parashtruar kërkesën për tu pajisur me licencë për terminal të mallrave. Kishte shënuar në kërkesë se biznesi i plotëson kushtet për tu licencuar.

“Objekti në fjalë është një ndërtim i ri fare dhe i plotëson të gjitha kriteret për terminal doganor dhe strehimore të mallrave. I plotëson të gjitha kushtet hixhieno-teknike, sanitare e ambientale. Është ndërtuar me Leje ndërtimi dhe posedon Lejen e përdorimit dhe shfrytëzimit të objektit nga Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Fushë Kosovës , si objekt afarist ekonomik, respektivisht edhe për Terminal Doganor dhe Strehimore të mallit doganor”, thuhet në kërkesën e “City Park”.

Po ashtu në këtë kërkesë thuhet se kompania nuk është e përfshirë në aktivitete të paligjshme.

“Ne si kompani që nga themelimi dhe afarizimi me biznesin tonë nuk kemi qenë asnjëherë subjekt i ndonjë dyshimi apo aktakuze lidhur me shkeljet doganore apo tatimore që nga ekzistimi e gjerë më sot”, thuhet në kërkesën e kësaj kompanie.

ruzhdi-kadriu-120913

Ruzhdi Kadriu, pronar i “City Park”

Por dy muaj pas kësaj kërkese , më 4 shtator, ish-ministri Fehmi Mujota kishte marrë vendim për refuzimin e kësaj kërkese. Ndaj këtij vendimi ishte ankuar “City Park“, më më 12 shtator të vitit 2014. Ankesa ishte dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës. Ishte ngritur një komision për shqyrtuar këtë ankesë.

Insajderi ka siguruar procesverbalin e punës së këtij komisioni. Aty tregohet se “City Park“, nuk kishte plotësuar nëntë kritere të kërkuara në udhëzimin administrativ, tashmë të shfuqizuar.

Ky komision kishte marrë vendimin më 13 tetor të vitit 2014. Në mesin e kritereve të paplotësuara përmenden edhe tri që më nuk figurojnë në udhëzimin e ri administrativ.

Komisioni kishte dhënë arsyetimet se  pse aplikuesi nuk kishte plotësuar këto tri kritere. Kishte konkluduar se aplikuesit i mungon leja ndërtimore për terminal e lëshuar nga autoritetet komunale.

“Personi juridik – City Park- ka paraqitur lejen e ndërtimit në emër të personit juridik INTERPRES COMPANY”, thuhet në procesverbalin e punës së komisionit.

Po ashtu kjo kompani nuk plotësonte kriterin e kërkuar lidhur me infrastrukturën në kryerjën e shërbimeve. Kërkohej që aplikuesi të posedoi së paku 12 mijë metra katrorë hapësirë. Obligohej që të ketë plato të hapur prej së paku 10 mijë metrash katrorë dhe depo të mbyllur prej 2 mijë metrash katrorë.

Ndërsa kompania “City Park”, bazuar në këtë raport, posedon vetëm 10 mijë e 663 metra katrorë.

Po ashtu kjo kompani nuk kishte plotësuar edhe kriterin lidhur me parkingjet. Komisioni kishte konkluduar se “City Park”, nuk posedon së paku 50 parkingje, të shenjëzuara vertikalisht dhe horizontalisht.  Këto parkingje duhet të jenë të përshtatshme për kamionët, përfshirë ata që tërheqin rimorkio, që transportojnë mallra  të rrezikshme dhe të parrezikshme.

Margarita Kadriu

Manipulimi i opinionit nga ministri Lutfi Zharku

Kur Ministria e Infrastrukurës, më 17 dhjetor  2015, kishte njoftuar për hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri administrativ për licencimin e terminaleve të mallrave kishte treguar edhe arsyen e ndërmarrjës së këtij vendimi.

Nëpërmjet një kumtese për media kishte treguar se ky udhëzim administrativ, i nënshkruar nga ministri Zharku, ka për qëllim krijimin  e lehtësive administrative, teknike dhe ligjore për operatorët ekonomik që ushtrojnë veprimtarinë e terminaleve të mallrave.

Njoftimi i Ministrisë shtonte se “ky udhëzim administrativ i krijon bizneseve që merren me terminale mundësi të qasjes së barabartë e jodiskriminuese dhe treg liberal në baza konkurrente”.

Por ky pohim bie ndesh me deklarimin e ministrit Zharku, bërë para deputetëve më 24 shkurt të vitit 2015, që thoshte tregu i biznesit të terminaleve është liberal dhe konkurrues.

Ai ishte ftuar të raportonte para komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, tregti e industri. Muhamet Mustafa, deputet i LDK-së dhe kryetar i këtij komisioni, i kishte kërkuar sqarime për biznesin e terminaleve.

“Në opinion ka mjaftë biseda e shkrime lidhur me terminalet doganore… Aty pak a shumë ka mendime që ekzistojnë monopole të caktuara. Ne do të dëshironim që çfarëdo monopoli të evidentohet në secilën fushë. Nuk po them që janë të drejta këto akuza parimisht”, ka thënë Mustafa.

Shkrime që ngritnin akuza për monopol në biznesin e terminaleve pati botuar në vazdhimësi e përditshmja “Kosova Sot“, medium në pronësi të familjës Kadriu.

Zharku kishte mohuar se në këtë fushë ka monopol.

“Janë shtatë apo tetë terminale doganore. Nuk kemi të bëjmë me monopol. Për shkak se ka terminale, ish ministri z Mujota e ka nënshkruar një vendim në bazë të një raporti të komisionit që e ka vlerësuar që nuk ka nevojë për terminale të reja”, ka thënë Zharku.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, pati marrë vendim që të pezullohej përkohësisht dhënia e licencave për terminale. Ishte bazuar në raportin e komisionit ministror që kishte inspektuar terminalet.

Insajderi ka siguruar këtë raport. Është hartuar më 17 tetor të vitit 2014. Është emërtuar  “Vlerësimi i kapaciteteve ekzistuese në terminalet e mallrave”.

“Komisioni konstaton se ka liberalizim në ofrimin e shërbimeve të terminaleve të mallrave dhe subjekti i interesuar mund të zgjedhë vendin për ofrimin e shërbimeve nga terminalet e mallrave për zhdoganim të mallit në pikën kufitare, në vendin e hyrjes ose ne brendi dhe ky shërbim zhvillohet në baza konkurruese”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu raporti konkludon se kapacitetet e vend parkingjeve dhe hapësirave të mbuluara të terminaleve të mallrave janë të mjaftueshme.

“Të njëjtat ofrojnë kushte optimale për qëndrim dhe trajtim të mallrave të cilat duhet të zhdoganohen. Konsiderojmë se nuk është e nevojshme të licencohen terminale të reja”, thuhet në raportin e komisionit.

terminalet vleresimi

Raporti i vlerësimit të terminaleve

Përveç ndryshimit të qendrimit lidhur me monopolin në terminale, ministri Zharku edhe në një rast tjetër ka rënë në kundërshtim me veprimet e Ministrisë që drejton.

Ai më 8 mars të këtij viti ishte pyetur në emisionin “Ekonomia me Erëzën”, se pse kompania “City Park” ishte licencuar vetëm pak kohë para votimit për president të Thacit.

Kishte deklaruar se ai vetëm ka kryer obligimin e tij ligjor dhe se kjo situatë nuk mund të politizohet. Ka shtuar se “kompania City Park ka aplikuar para një viti dhe se Ministria nuk i ka kthyer përgjigje”.

“Kur kam ardhur unë në këtë ministri, aplikacionit të saj i ka skaduar afati. D.m.th nuk iu ka përgjigj ministria qysh para se unë të vija në ministri”, ka thënë Zharku.

Por dokumentet e siguruara nga Insajderi tregojnë se Ministria e Infrastrukturës i ka kthyer përgjigje kompanisë “City Park”, duke i refuzuar kërkesën për licencim të terminalit të mallrave.

Ballina vendimi

Vendimi i ish-ministrit Mujota për refuzimin e licencës.