‘Mos e teproni, nuk janë këta sheika’ – fillojnë reagimet për mikpritjen e anglezëve në Kosovë

‘Mos e teproni, nuk janë këta sheika’ – fillojnë reagimet për mikpritjen e anglezëve në Kosovë

Tifozë e lojtarë të kombëtares angleze sot kanë zbritur në Kosovë për ndeshjen e nesërme.

Për mikpritjen ndaj tyre po flitet shumë. Pas aterimit të ekipit anglez në aeroportin “Adem Jashari”, disa gra, punonjëse të aeroportit, kanë dalur t’i presin ata.

Fotografitë e shkrepura kanë nxitur reagime në Facebook. Disa komentues kanë thënë se mikpritja për ta nuk duhet tepruar dhe nuk shndërruar në diçka shpifëse.

“Të dashur organizatore, mos e teproni tash. Mos na qoni tugën amon. Naluni. Nuk janë këta sheika të Abu Dabit, e as nuk ka Fashion Ëeek në Prishtinë. Shumë e gërrditshme dhe jo serioze”, ka shkruar Shpend Lila, pjesë e shoqërisë civile në Kosovë.

Mish, birra, femra e tepihë të kuq – kjo është pritja që iu bë kombëtares angleze

E gazetarja Teuta Arifaj ka thënë se Kosova mund të jetë vend i vogël, me çmime të ulëta e mirënjohës ndaj anglezëve mirëpo jemi shoqëri seksiste.

“Mund të impresionojmë botën me talent, mikëpritje e arritje. Ama mbi të gjitha jemi seksiste! Në këtë vend s’ka respekt për gruan. Në këto ditë krenarie për vendin, gratë janë vetëm aset që mund t’u shërbehet të huajve”, ka shkruar ajo.