Qalaj pranon se e ka mik Reçicën, numrin 2 të ShIK-ut

Qalaj pranon se e ka mik Reçicën, numrin 2 të ShIK-ut

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pranuar afërsinë shoqërore me Elmi Reçicën, deputetin e pushtetshëm të PDK-së dhe ish-numrin 2 të ShIK-ut.

Dy ditë pasi Insajderi publikoi një hulumtim që dëshmon ndikimin e madh të Elmi Reçicës në Policinë e Kosovës, Qalaj është shprehur se Reçica është “njëri prej politikanëve” me të cilët ai shoqërohet.

“Unë mund të them që njoh shumë politikanë, jam mik me shumë prej tyre. Unë kam shumë njerëz me të cilët unë jam rritur me ta. Mos të harrojmë që këta njerëz që tashmë janë pjesë e politikës, përpara kanë qenë njerëz të zakonshëm; nxënës të shkollës së mesme”, ka thënë Qalaj në Rubikon të KTV-së.

“Normalisht që gjatë viteve krijohen edhe lidhjet shoqërore. Edhe me z. Reçica, edhe me politikanë të tjerë me të cilët kam shoqëri”, ka thënë Qalaj.

I pyetur për gradimin e Emin Beqirit, ish-vartësit të politikanit Reçica në Shërbimin Informativ të Kosovës, Qalaj ka thënë se Beqiri është avancuar në mënyrë legale nga pozita e shefit të Krimeve Ekonomike, në drejtor të Stacionit Policor në Ferizaj.

“Realisht ne i kemi bërë shumë reforma në Policinë e Kosovës pas ardhjes time. Nga të gjithë kolegët që janë avancuar, janë zhvilluar procedura të njëjta për të gjithë. Në aspektin legal, Emin Beqiri nuk ka pasur asnjë pengesë që të mos gradohet. Nuk ka pasur shtytje politike për gradimin e tij”, ka deklaruar Qalaj.

Insajderi publikoi të martën hulumtimin e titulluar: “‘Djelmoshat’ e Elmi Reçicës që kontrollojnë Policinë e Kosovës”.

Hulumtimi dëshmon se si një grup i madh njerëzish në poste udhëheqëse të Policisë së Kosovë ndërlidhen me një emër të fuqishëm të politikës: Elmi Reçicën.

Ata janë emëruar në pozita drejtuese në kohën e qeverisjes së PAN-it, koalicion që udhëhiqej nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Djelmoshat” e Elmi Reçicës që kontrollojnë Policinë e Kosovës