Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Gluak Konjufca ka paralajmëruar masa ndaj përgjegjësve të skandalit me “njohjen” nga shteti i Xhamajkës.
Përmes një reagimi, Konjufca ka deklaruar se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njoftimin për njohje nga ky shtet e ka pranuar përmes emailit nga ambasadorja Vlora Çitaku.
“Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka. Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë”, tha Konjufca.
Konjufca ka paralajmëruar se pas shqyrtimit të situatës do të ndërmarrë veprime.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar. Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”, tha Konjufca.
Lajmi u shpërnda mbrëmë nga Presidenti Hashim Thaçi, por u demantua nga ministrja e Punëve të Jashtme të Xhamajkës, Kamina J Smith.
“Deri më sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën”, ka shkruar ajo.Kujtojmë se mbrëmë lajmin për këtë njohje e ka dhënë presidenti Thaçi.Uebfaqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Xhamajkas nuk ka lëshuar njoftim për këtë rast.
Pas skandalit me “njohjen” nga Xhamajka reagon Glauk Konjufca