Albin Kurti ka shkarkuar nga posti i ministrit të Pu" />

Rrëzimi i Qeverisë Kurti ‘përçan’ LDK-në

Rrëzimi i Qeverisë Kurti ‘përçan’ LDK-në

Kanë kaluar më shumë se 24 orë që kur kryeministri, Albin Kurti ka shkarkuar nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Agim Veliu.

Deklarata e Veliut që “numri i të prekurve me koronavirus po rritet prej ore në orë” në njërin prej televizione publike – i kushtoi me shkarkim nga pozita e ministrit, teksa Kurtit me shumë gjasë do t’i kushtojë me shkarkim të Qeverisë së tij, shkruan Gazeta Insajderi.

Këtë deklaratë numri dy i Lidhjes Demokratike e dha në njërin prej televizioneve publike, pas kërkesës së presidentit Thaçi menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend për shkak të virusit (COVID-19).

Teksa këtë e kundërshtonte Qeveria, më konkretisht kryeministri Kurti – i cili u shpreh se përderisa gjendja është e menaxhueshme nuk duhet të shkohet në masa ekstreme.

Thyerje të marrëveshjes së koalicionit qeverisës, e cilësoi kreu i LDK-së, Isa Mustafa shkarkimin që Kurti ia bëri Agim Veliut, ani pse Kurti insistoi se gjysmë ore më herët kishte lajmëruar Mustafën, për shkarkimin e ministrit të LDK-së duke i kërkuar kështu një emër të ri.

“Z. Kurti, nuk është konsultuar me mua, prandaj edhe nuk jam pajtuar për shkarkimin e ministrit Veliu. Ky është veprim i njëanshëm, në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit, dhe i papranueshëm për LDK-në”, ka deklaruar Mustafa.

Reaguan pothuajse të gjithë nga Lidhja Demokratike, edhe vet Veliu i cili në një bisedë për Insajderin tha se “nuk jemi në komunizëm e totalitarizëm që mos me guxu me fol kurkush”, duke shtuar se nuk ka qenë i informuar zyrtarisht për lirimin nga puna.

Madje në një deklarim tjetër e cilësoi Kurtin, anti-kosovar e anti-amerikan.

Ndërsa, Kurti deklaratën e Veliut e cilësoi si tradhti. Sipas tij, Agim Veliu është njeri i papërgjegjshëm, dhe bëri veprim të dënueshëm.

Pas këtyre zhvillimeve, Lidhja Demokratike e Kosovës mblodhi kryesinë, u vendos që të iniciohet mocioni i mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Mustafa, ka dhënë tre arsye për marrjen e këtij vendimi, e sipas tij ato janë: Taksa, prishjet e raporteve me SHBA dhe së fundi shkarkimi i Agim Veliut, vendim i cili tregon sipas tij se Kurti, nuk dëshiron të bashkëpunojë.

“Për ne është një veprim i cili tregon se Kurti nuk dëshiron të bashkëpunojë me ne dhe nuk dëshiron të veprojë në mënyrë që të kemi relacione të mira me SHBA-në. Edhe afati që i kemi dhënë për taksën tashmë ka kaluar. Ne do të iniciojmë mocion mosbesimi për rrëzimin e kësaj qeverie”, theksoi Mustafa.

Jo të gjithë ishin njëzëri në mbledhjen e kryesisë. Gruaja më e votuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani votoi kundër rrëzimit të Qeverisë teksa abstenoi Lumir Abdixhiku, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit.

E sot u mblodh Grupi Parlamentar i LDK-së, ku u mblodhën nënshkrimet për mocionin e mosbesimit. Por këtu LDK-së i dolën disa probleme. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për media pohoi se përveç Vjosa Osmanit janë edhe dy deputetë të tjerë që nuk dhanë dritën jeshile për rrëzimin e Qeverisë.

Por ku mbeti Vjosa Osmani?

Kanë kaluar më shumë se 24 orë, por Vjosa Osmani nuk ka dhënë ndonjë deklarim zyrtarë, pse ka votuar kundër qëndrimeve të partisë, rrjedhimisht kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Gazeta Insajderi, ka provuar gjatë ditë ta marr një qëndrim të Osmanit, por kjo ka qenë e pamundur. E njëjta nuk i ka hapur telefonin redaksisë.

Kjo nuk është hera e parë që Vjosa Osmani del kundër qëndrimeve të lidershipit të LDK-së. Edhe në vitin 2017 Osmani ishte kundër një qeverie me PDK-në.

“Unë kam qenë e vetëdijshme që do të kem pasoja në ditën kur e kam informuar Isa Mustafën që do të votojë kundër Qeverisë dhe do të vazhdojë të kundërshtojë këtë koalicion deri në fund, kur ky koalicion (LDK-PDK) përfundon”, pati deklaruar Osmani në 2017-në.

Se Osmani ka votuar kundër e ka konfirmuar edhe Agim Veliu, teksa nuk ka dhënë ndonjë koment tjetër.

Përveç Osmanit edhe Haxhi Avdyli, Fatmir Rexhepi e Ardian Shala janë kundër rrëzimit të Qeverisë aktuale.

Këtë e ka konfirmuar vet deputeti Avdyli i cili u shpreh se si LDK nuk kanë marrë mandatin për të qeverisur me PDK-në.

Ndonëse, Avdyli është deklaruar dhe ka shprehur qëndrimin e tij pse është kundër mocionit të iniciuar nga partia e tij, deri tani asnjë fjalë nuk e ka thënë Vjosa Osmani.

Me rrëzimin e Qeverisë Kurti – a po ‘përçahet’ edhe LDK? – kjo mbetet të shihet ditëve në vazhdim./Insajderi.com