Duke lënë prapa raportimet e shpeshta për kriminalitet në Ministrinë e Infrastrukturës pas marrjes së licencës për terminal, gazeta “Kosova Sot” është zhytur edhe në një betejë të re. Kërkon me ngulm që pronarit të gazetës, Ruzhdi Kadriut, babait të deputetes Margarita Kadriu, t’i jepet leja komunale për ndërtimin e një kompleksi biznesor prej 20 katesh. Për refuzuesin e lejes, Shpend Ahmetin - kryetarin e Prishtinës, ka raportuar sot se është i lidhur me ‘Cosa Nostra’-n e Kosovës.

Gazeta “Kosova Sot” i është kundërpërgjigjur sot me dy shkrime kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Njërin e ka titulluar “Shpend, trego shantazhuesit e vërtetë që po ta mbushin gushën!”, ndërsa tjetrin “Shpendi me shokë nuk i respektojnë vendimet e plotfuqishme të shkallës së dytë, rrezikojnë deri 5 vjet burg!”.
Në të dy shkrimet i kërkohet që të vendosë në favor të Ruzhdi Kadriut – pronarit të gazetës “Kosova Sot”.
Babai i deputetes Margarita Kadriu kërkon leje nga autoritetet komunale të Prishtinës për ndërtimin e dy komplekseve ndërtimore. Projekti i tij parasheh ndërtimin e një hoteli, hotel-rezidencave, shoping-qendrës, biznes-qendrës dhe shumë përmbajtjeve të tjera për sport, kulturë, rekreacion, gjelbërim.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dje nëpërmjet Facebookut ka deklaruar se “Pronari i gazetës ‘Kosova Sot’, që një kohë kërkon një leje shumëkatëshe (20 kat) në qendër të Prishtinës në shpërputhje me Planin Rregullativ dhe hapësirën përreth”.
“Edhe pse shumë herë jemi takuar dhe ja kemi shpjeguar, ka filluar që të na kërcënojë e shantazhojë me gazetë”, ka shënuar Ahmeti. Ai ka pohuar se ka denoncuar rastin në prokurori dhe se ka përgatitur dhjetëra padi civile në gjykatë.
“Për këto gënjeshtra e shpifje mund edhe të shpërblehen nga qeveria me terminale doganore, por ne nuk e kemi mendjen të jemi pre e shantazheve e shpifjeve. E ata nuk do të diskriminohen por as privilegjohen. Mediat nuk janë mjete të pronarëve për përfitime personale, së paku në besimet dhe qëndrimet tona jo”, ka shkruar Ahmeti.
Këtë reagim të tij e ka vlerësuar si krejtësisht të pavend gazeta “Kosova Sot”, nëpërmjet editorialit të titulluar “Shpend, trego shantazhuesit e vërtetë që po ta mbushin gushën”.
“Kryetari i Prishtinës në fund është detyruar të dalë me një reagim, por krejtësisht të pavend duke akuzuar gazetën ‘Kosova Sot’, se gjoja po e shantazhon për një leje ndërtimi. Shpend Ahmetin me siguri dikush e mban nën presion sepse ndryshe vetë ai do ta zbatonte ligjin, do t’i përfillte vendimet e plotfuqishme të shkallës së dytë sipërore në procedurë administrative, të cilat i zhvleftësojnë vendimet e kundërligjshme dhe kundër kushtetuese…”, thuhet në këtë editorial.
“Urdhërdhënësit që ia mbushin gushën Shpendit & Co janë shantazhuesit e vërtetë të tij, e jo gazeta apo themeluesi i saj”, shënohet në fund të këtij shkrimi.
Ndërkaq, në artikullin tjetër të titulluar “Shpendi me shokë nuk i respektojnë vendimet e plotfuqishme të shkallës së dytë, rrezikojnë deri 5 vjet burg!”, gazeta pretendon se e drejta është në anën e tyre dhe se kryetari i Prishtinës është i kapur.
Ruzhdi Kadriu, pronar i “gazetës “Kosova Sot”
Gazeta një prej mestitujve të artikullit e ka titulluar “COSA NOSTRA kosovare dirigjon gjithçka”.
Gazeta e citon një analist politik, i cili është i bindur që mafia qëndron prapa drejtuesve komunalë të Prishtinës. Ai ka emërtuar “mafien kosovare” me emrin e një prej organizatave më të njohura mafioze italiane,
“…Ngase jam thellësisht i bindur se prapa pushtetarëve komunalë në kryeqytet qëndron nëntoka politike apo ‘COSA NOSTRA’ kosovare””, thotë analisti, i cili është cituar nga gazeta e Ruzhdi Kadriut.
Analisti, i cituar nga kjo gazetë, përmend edhe emra kompanish që e përbejnë atë që e kanë emërtuar si ‘Cosa Nostra’ e Kosovës.
“Sipas tij, kjo e tregon qartë se këtu nuk kemi të bëjmë me shtet ligjor dhe demokratik, por me kapje të shtetit nga “COSA NOSTRA” kosovare në krye me klanin “Pronto” dhe nëntokën politike të “Devollëve”, “ELKOS-ve”, etj”, thuhet në artikullin e gazetës “Kosova Sot”.
Ngjashëm si drejtuesit e Prishtinës, në ballinat e kësaj gazete për të njëjtën arsye ishte edhe Fehmi Mujota, ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës. Akuzohej nga gazeta se kundërligjshëm kishte vendosur që të mos licencohej terminali i kompanisë “City Park”.
Ministria e Infrastrukturës nuk ishte e denjë për t’u shfaqur shpesh në ballinë pas janarit të vitit 2016. Atëkohë ishte marrë një vendim në favor të Ruzhdi Kadriut, babait të deputetes Margarita Kadriu. Ministria e Infrastrukturës kishte vendosur më në fund që ta licenconte terminalin e Kadriut.
Por, Insajderi kishte zbuluar se qeveria e koalicionit PDK-LDK ka ndryshuar bazën ligjore për licencimin e terminaleve në mënyrë që të jetë e përshtatshme për kompaninë “City Park”, në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të Margarita Kadriut. Ndryshimi kishte ndodhur vetëm dy muaj para votimit të Hashim Thaçit për president.
Deputetja Kadriu, më 26 shkurt të vitit 2016, kishte vendosur që të qëndronte në sallën e Kuvendit për t´i bërë kuorumin Hashim Thaçit, gjatë votimit për president.