Kurti mbron Rashiqin e akuzuar, sulmon Prokurorinë

Kurti mbron Rashiqin e akuzuar, sulmon Prokurorinë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në konferencën për media ku tregoi se këshilltari i tij dhe drejtori për komunitete Nenad Rashiq, është liruar nga këto detyra për shkak të aktakuzës që ka ngritur Prokuroria Special për të, nuk hezitoi ta mbrojë Rashiqin pavarësisht kësaj aktakuze e ta sulmojë Prokurorinë, shkruan Gazeta Insajderi.

Kurti, duke besuar fuqishëm në pafajësinë e Rashiqit për aktakuzën që i është ngritur, tha se bëhet fjalë për procese që janë të vjetra sikurse regjimi i vjetër.

“Atij iu ngrit një aktakuzë nga prokuroria speciale dhe në këtë mënyrë u cenuar funksioni që ushtronte. Besoj në pafajësinë e tij. Bëhet fjalë për procese që janë të vjetra sikurse regjimi i vjetër dhe gjithashtu bëhet fjalë për aktakuza për të cilët krerët e çështjes nuk ndodhen në aktakuzat që ngritën”.

“Gjithmonë kemi persona që kanë qenë aty në rrethin e tretë dhe të katërt. Prandaj si zakonisht  me këto aktakuzat e regjimit të vjetër të shtetit të kapur të Kosovës është më mirë të shihet se cilët emra mungojnë”, tha Kurti.

Nenad Rashiq, sot ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit të Kurtit  e po ashtu edhe nga pozita e drejtorit për komunitete.

Kjo dorëheqje erdhi dy javë pasi ai mori këtë detyrë.

Përveç Rashiqit, e akuzuar nga Prokuroria Speciale për të njëjtën aktakuzë “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, është edhe Mimoza Kusari-Lila, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Të akuzuar janë edhe Besim Beqaj, Dardan Gashi dhe 15 persona të tjerë të përfshirë në këtë vepër penale.

Aktakuza ka të bëjë me Komitetin Qeveritar për Privatizim. Ata akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e veta duke votuar që disa hidrocentrale që prodhojnë energji elektrike të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga Limaku. Kjo ka ndodhur më 8 maj të vitit 2013.

Sipas njoftimit nga Prokuroria, në të njëjtën ditë ata kanë nënshkruar marrëveshje për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

Dëmi tjetër i shkaktuar dyshohet të jetë më shumë se 12.5 milionë euro, e në të cilin nuk përfshihet vlera e asete para privatizimit.

Privatizimi i katër hidrocentraleve ishte bërë në mënyrë fshehtë. Ato ishin përfshirë në një pako me Distribucionin dhe Furnizimin, krejt së bashku janë dhënë për vetëm 26.3 milionë euro tek konzorciumi i kompanive turke, “Çalik & Limak”./ Insajderi.com

Lexo edhe:

Prokuroria ngritë aktakuzë ndaj Mimoza Kusari-Lilës, Besim Beqajt, Dardan Gashit e disa zyrtarëve të tjerë