AAK i përgjigjet Mustafës për koalicion

Jehona Zhuniqi

AAK i përgjigjet Mustafës për koalicion

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tashmë ka filluar përgatitjet e para për koalicionin e ri qeverisës, në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk e dorëzon emrin për mandatarin apo dështon të sigurojë votat që i duhen në Kuvend.

Madje, gjatë ditës së djeshme kryetari Mustafa, u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm që të deklarohen nëse duan të bëjnë koalicion me AAK-në dhe Nismën apo jo, pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, shkruan Insajderi.

Gazeta Insajderi gjatë ditës së djeshme kishte siguruar njoftimin e dërguar nga Isa Mustafa për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, me të cilën u kërkon që të deklarohen.

Aty kërkohet që deri më 14 prill të përgjigjen me “PO” ose “JO” lidhur me pyetjen nëse janë të pajtimit për një koalicion me AAK-në dhe NISMA-n.

“A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE dhe komunitetet. Përgjigja:​​ PO ​ose ​JO. Ju lutem që të përgjigjeni përmes e-mailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00”, thuhet në njoftimin, të cilin e posedon Insajderi.

Për këtë çështje, Insajderi ka kërkuar përgjigje në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ka pyetur partinë e Ramush Haradinajt nëse janë të gatshëm që të hyjnë në një koalicion me LDK-në, nëse Këshilli i Përgjithshëm i kësaj të fundit e miraton kërkesën e Mustafës.

Muharrem Nitaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë për Gazetën Insajderi se tashmë qëndrimi i tyre është i qartë, duke mos e përjashtuar koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Nëse mandatin për krijimin e kësaj Qeverie do ta marrë LDK, ne do ta mbështesim pa asnjë hezitim dhe njëkohësisht do të mund të ishim pjesë e kësaj qeverie, nëse kjo kërkohet prej nesh”, ka thënë Nitaj, për Insajderin.

Sipas, tij AAK-ja, është pro krijimit të një qeverie të re sa më shpejtë.

“Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është për krijimin e një qeverie të re, sa më shpejtë aq më mirë”, ka thënë Nitaj.

Qeveria nën udhëheqjen e Albin Kurti është rrëzuar më 25 mars, më 82 vota pro, 32 kundër dhe një abstenim.

Kundër mocionit ishin edhe tre deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala.

Tashmë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka dërguar për të dytën herë, kryeministrit të shkarkuar, Albin Kurti, një letër përmes së cilës i kërkon mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

“Ju rikujtoj që Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik që ka fituar shumicën në Kuvend për të formuar Qeverinë dhe ka të drejtën e propozimit të kandidatit/es për të formuar Qeverinë”, shkruan Thaçi në letër.

Letrën e parë presidenti Thaçi e kishte dërguar më 2 prill.

Në nenin 100 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se nëse mocioni i mosbesimit votohet për qeverinë në tërësi, qeveria konsiderohet në dorëheqje. Kurse neni 82 e përcakton se kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë.

Por, neni 95 i Kushtetutës së Kosovës shkruan se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”./ Insajderi.com

Mustafa u kërkon anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm: A jeni për apo kundër koalicionit me AAK-në e Nismën