Lajmin për aderimin e Afrim Hotit në PDK e dha sot me krenari kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli. Veseli postoi një foto të tij dhe Hotit në rrjetin social Facebook, duke thënë se profesori universitar iu bashkua partisë së tij me qëllim fuqizimin e shtetit.
Por, profesori universitar dhe eksperti i së Drejtës Ndërkombëtare njihet për një skandal që u shkaktua vitin e kaluar në Universitetin e Prishtinës.
Afrim Hoti, i cili iu bashkua sot Partisë Demokratike të Kosovës, dyshohet se ishte përgjegjës për diplomimin e dyshimtë të Bekë Kuqit – kushëririt të Hajredin Kuqit – në UP, disa vite më parë.
Insajderi ka raportuar në tetor të vitit të kaluar për këtë skandal.
Kushëriu i zv/kryeministrit në detyrë të Kosovës, Hajredin Kuçi, dyshohet se e mban rekordin e diplomimit më të dyshimtë në historinë e Universitetit të Prishtinës.
Rekordi i vënë nga studenti Bekë Kuqi është komentuar shumë nga profesorët e tij. Ai dyshohet se diplomoi në mënyrë të parregullt dhe përgjegjësinë për këtë e mbajnë profesorët Afrim Hoti, Dashamir Bërxulli dhe dekani Bujar Dugolli.
Insajderi kishte zbuluar se asnjëri prej tyre nuk i dha përgjigje denoncuesit të këtij rasti, profesorit Arben Hajrullahu që ngriti dyshimet dhe kërkonte nga ta që të informohej lidhur me rastin e studentit Bekë Kuqi.
Hajrullahu, më 25 janar 2016, i kishte dërguar kërkesë nëpërmjet e-mailit të treve. Dugollit, në cilësinë e dekanit, Bërxullit, në cilësinë e prodekanit për çështje mësimore, Afrim Hotit, shef i degës si dhe ish-rektorit Ramadan Zejnullahu.
Insajderi ka siguruar shkëmbimin e e-maileve mes profesorëve të këtij fakulteti.
Aty Hajrullahu shpreh habinë për veprimet që kishin ndodhur në afatin e nëntorit, në vitin 2015.
Tri gjëra të dyshimta, sipas tij, kishin ndodhur brenda një muaji.
E para: Bekë Kuqi, kishte marrë notën 8 në lëndën “Hyrje në Shkencat Politike”, të semestrit të parë të studimeve Bachellor.
E dyta: Ishte notuar me 8 në lëndën “Politikë Botërore”, lëndë e vitit të dytë-semestri i katërt. Po ashtu në këtë lëndë, studenti Kuqi fillimisht ishte notuar me jo kaluese, me 5.
E treta: Bekë Kuqi kishte diplomuar në nëntor 2015, në të njëjtin muaj kur kishte dhënë provimin e një lënde të vitit të parë dhe një të vitit të dytë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu:
Dugolli, Bërxulli e Hoti përgjegjës për diplomimin e dyshimtë të zyrtarit të Rektoratit