Dugolli, Bërxulli e Hoti përgjegjës për diplomimin e dyshimtë të zyrtarit të Rektoratit

Insajderi ka siguruar korrespodenca interne mes profesorëve të Fakultetit Filozofik, të bëra nëpërmjet e-maileve. Aty zbulohet se një student, i cili tash është punësuar në Rektoratin e UP-së, kishte diplomuar në mënyrë të dyshimtë. Përgjegjësia hedhet tek tre shefat e filozofikut: dekani Bujar Dukolli, prodekani për çështje mësimore Dashamir Bërxulli dhe Afrim Hoti, shef i degës së Shkencave Politike.

Dugolli, Bërxulli e Hoti përgjegjës për diplomimin e dyshimtë të zyrtarit të Rektoratit

Një kushëri i zv/kryeministrit Hajredin Kuçi dyshohet se e mban rekordin e diplomimit më të dyshimtë në historinë e Universitetit të Prishtinës.

Rekordi i vënë nga studenti Bekë Kuqi është komentuar shumë nga profesorët e tij.  Ai dyshohet se diplomoi në mënyrë të parregullt dhe përgjegjësinë për këtë e mbajnë profesorët Afrim Hoti, Dashamir Bërxulli dhe dekani Bujar Dugolli.

Insajderi ka zbuluar se asnjëri prej tyre nuk i dha përgjigje denoncuesit të  këtij rasti, profesorit Arben Hajrullahu që ngriti dyshimet dhe kërkonte nga ta që të informohej lidhur me rastin e studentit Bekë Kuqi.

Hajrullahu, më 25 janar 2016, i kishte dërguar kërkesë nëpërmjet e-mailit të treve. Dugollit, në cilësinë e dekanit, Bërxullit, në cilësinë e prodekanit për çështje mësimore, Afrim Hotit, shef i degës si dhe ish-rektorit Ramadan Zejnullahu.

Insajderi ka siguruar shkëmbimin e e-maileve mes profesorëve të këtij fakulteti.

Aty Hajrullahu shpreh habinë për veprimet që kishin ndodhur në afatin e nëntorit, në vitin 2015.

Tri gjëra të dyshimta, sipas tij, kishin ndodhur brenda një muaji.

E para: Bekë Kuqi, kishte marrë notën 8 në lëndën “Hyrje në Shkencat Politike”, të semestrit të parë të studimeve Bachellor.

E dyta:  Ishte notuar me 8 në lëndën “Politikë Botërore”, lëndë e vitit të dytë-semestri i katërt. Po ashtu në këtë lëndë, studenti Kuqi fillimisht ishte notuar me jo kaluese, me 5.

E treta: Bekë Kuqi kishte diplomuar në nëntor 2015, në të njëjtin muaj kur kishte dhënë provimin e një lënde të vitit të parë dhe një të vitit të dytë.

“Pra, unë nuk e kuptoj se si është e mundur që studenti në fjalë p.sh. në po të njëjtin afat të përfundoj edhe provimin e parë të studimeve BA (“Hyrje në Shkencën Politike”), po edhe të mbroj tezën BA dhe me ketë të diplomoj”, thuhet në e-mailin që Hajrullahu iu dërgoi tre shefave të Fakultetit Filozofik.

dokumenti

Rrugëtimi i studentit Kuqi përbën shkelje të Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Bekë Kuqi, meqë ishte ‘bllokuar’ te provimi i vitit të parë tek Arben Hajrullahu në lëndën “Hyrje në shkencat politike”, kishte vendosur t’i kalonte provimet tjera, madje të viteve pasuese, në kundërshtim me Statutin e UP-së.

Kështu ai, përveç tjerash, në po të njëjtin semestër (semestri i fundit i vitit të tretë para diplomimit – afati i nëntorit) e kalon provimin e vitit të parë “Hyrje në shkencat politike”; edhe provimin e vitit të dytë “Politika botërore” te shefi i degës, Afrim Hoti, madje e mbron edhe temën e diplomës të nivelit Baçelor.

Kjo është e ndaluar me Statut. Neni 149, pika 1 e Statutit thotë se “përfundimi me sukses i vitit në pajtim me programin e studimit është parakusht që studenti të regjistrohet në vitin tjetër”; dhe pika 2 e këtij neni thotë se “studenti i cili nuk ka mundur të përfundojë me sukses vitin duhet sërish të regjistrohet në vitin e njëjtë të studimeve”.

kuqi

Bekë Kuqi, rekordmeni i dyshimtë

Prodekani i Filozofikut, Hajrullahut: Jemi të zënë

Katër ditë më vonë, Hajrullahut i shkruan prodekani Dashamir Bërxulli. Nuk i jep përgjigje për rastin e ngritur, por i thotë se kjo do të bëhet javën e ardhshme.

“Për shkak të dinamikave nëpër të cilat po kalon fakulteti gjatë ditëve të fundit, për të cilat jeni edhe ju në dijeni, trajtimi i çështjes së ngritur nga ju, do të bëhet gjatë javës së ardhshme, kohë në të cilën do të merrni edhe përgjigjen përkatëse”, thuhet në e-mailin e Bërxulit drejtuar Hajrullahut.

Bërxulli nuk e kishte mbajtur premtimin për ta informuar Hajrullahun lidhur me rastin.

Hajrullahu i kishte dërguar edhe një e-mail për t’ia rikujtuar premtimin.

“Koleg Dashamir, ju rikujtoj që edhe pse keni kumtuar që sqarimin do e marr javën qe kaloi, kjo nuk ndodhi ende. Edhe sa kohë do ju nevoitet për të sqaruar këtë rast?”, pyeste Hajrullahu Bërxullin më 10 shkurt 2016.

Ky e-mail e duket se e nervozon prodekanin Bërxulli, i cili në po të njëjtën ditë i përgjigjet.

“I nderuar profesor Hajrullahu, nuk është e nevojshme të më rikujtosh ndonjë gjë. Ajo “javën e ardhshme”, që kam thënë e shkruar, nuk është e shkruar në gur, por varet nga specifikat e çështjes, të cilën po trajtojmë. Meqenëse jemi në shqyrtim e sipër të çështjeve të ngritura, duke i parë ato nga disa pikëvështrime, të lus për mirëkuptim dhe përmbajtje nga rikujtimet eventuale, derisa të kontaktoheni për këtë çështje nga dekanati”, i ishte përgjigjur Dashamiri.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me prodekanin Dashamir Bërxulli, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Gjithashtu, Insajderi ka provuar të marrë qëndrim edhe nga dekani Bujar Dugolli, por ai nuk ka sqaruar asgjë rreth këtij rasti.

Përgjigje nuk ka dhënë as Ramadan Zejnullahu, ish-rektori i Universitetit Publik “Hasan Prishtina”.

Kuqi: Arben Hajrullahu po përpiqet të ma dëmtoj imazhin

Insajderi ka kontaktuar me Bekë Kuqin. Ai është i punësuar në Universitetin e Prishtinës. Mban pozitën e zyrtarit për zotime dhe buxhet, në Rektoratin e UP-së.

Kuqi ka thënë se Fakulteti Filozofik është i dytë për kah rëndësia për të. Ai aktualisht është në studimet e doktorratës në fakultetin ekonomik.

Kuqi ka thënë për Insajderin se Hajrullahu është përpjekur për t’ia dëmtuar imazhin.

“Pretendimet e z, Hajrullahut janë të pa bazuara. Tani qe po e shoh ketë email, ai më shumë paska pretenduar qe te më demtoj imazhin tim dhe të bëjë prapagandë mediatike”, ka pohuar Kuqi për Insajderin.

Ai ka shtuar se Hajrullahu mund t’i drejtohet Prokurorisë, nëse ka dyshime të bazuara për keqpërdorime.

Ka thënë se Hajrullahu i’a ka huqur për sa i përket akuzave të tij.

“Dua ta rikujtoj atë  që une jam gjeneratë e 2009-es  në Fakultetin Filozifik  dhe ia rikujtoj z.Hajrullahut që programet ndryshojnë.  Politikat Botërore ne gjeneraten e vitit 2009 mësoheshin  në vitin e tretë. .z.Hajrullahu e paska shikuar planprogramin e 2012, ku kjo lëndë i bie në vitin e dytë”, ka thënë Kuqi.

Arben Hajrullahu është kontaktuar nga Insajderi. Nuk ka dashur të komentojë lidhur me përmbajtjen e ankesave që ka bërë. Ka pohuar se nuk është i informuar se çfarë ka ndodhur me rastin, për të cilin ka ngritur dyshime.

“Lidhur me rastin në fjalë nuk kam se çfarë të shtoj, të paktën për momentin, dhe nuk di më shumë”, ka pohuar Hajrullahu.

Përplasja e Hotit me Hajrullahun

I akuzuar direkt nga Hajrullahu në këtë rast, është Afrim Hoti, shef i departamentit për shkenca politike. Mënjeherë pasi Hajrullahu i kishte dërguar e-mail të tre shefave, ishte Hoti që kishte kthyer e-mail.

“Të nderuar, po pres me padurim që të hidhet dritë dhe të vërtetohet nëse ka manipulim ose e kundërta e kësaj, përpjekje për pasqyrim të rremë të situatës”, shkruante Afrimi në po të njëjtën ditë.

Hoti përmendet në e-mailin e Hajrullahut në aspekt negativ. Bazuar, në këtë shkëmbim e-mailesh Hoti e kishte ftuar Hajrullahun që të takoheshin në zyrën e tij, për të sqaruar situatën.

Ftesa e Hotit ishte refuzuar. Hajrullahu kërkonte sqarim vetëm me shkrim. Kjo e revolton Hotin. I shkruan Hajrullahut se nga ai nuk do të marrë sqarim as me shkrim e as me gojë.

Hoti ka pranuar të flasë për Insajderin lidhur me dyshimet e Hajrullahut.

Hajrullahu kishte  shfaqur dilemën se si ka mundësi që studenti Bekë Kuqi ta kalonte para një komisioni provimin në lëndën e tij “Hyrje në shkencat politike”, të cilin për disa afate nuk e kishte kaluar.

Ndërkaq Hoti, pohon se  studenti ka të drejtë të kërkojë komision për ta kaluar provimin.

“Kur vjen koha e provimeve në vitin e parë, studenti, në bazë të Statutit, nëse ka rënë nga provimi dy herë, herën e tretë e tutje ka të drejtë të kërkojë komision. Dhe i njëjti (Bekë Kuqi) ka kërkuar komisioni dhe dekani ia ka formuar komisionin, unë nuk kam qenë anëtar i atij komisioni, dhe ka kaluar. Fjala është për provimin e vitit të parë “Hyrje në shkencat politike”, viti i parë”, thotë Hoti për Insajderin.

Në fakt, Statuti e lejon që nëse studenti bie nga provimi tri herë, kërkon nga dekani i fakultetit që ta themelojë komisionin.

Por Hajrullahu, bazuar në e-mailet e siguruara nga Insajderi,  e shfaqë edhe një dilemë tjetër.

Interesohej ta dinte si ndodhi që studenti Kuqi ta kalonte edhe provimin e vitit të dytë “Politika botërore”, të cilin e kishte notuar me notën jo kaluese (5).

Krejt kjo brenda të të njëjtit semestër. Por kjo e ka një histori. Shefi i degës së Shkencave Politike, Afrim Hoti, që në atë rast ishte edhe bartës i lëndës “Politika botërore”, kërkon nga  Hajrullahu që t’ia përpilonte testet për këtë lëndë në afatin e nëntorit të vitit të kaluar dhe, rrjedhimisht t’i kontrollonte ato.

“Në “Politikën botërore”, meqë unë kisha shumë provime, Arbeni rastësisht qëlloi në nëntor, dhe i them ‘a mundesh me m’ndihmu? Thotë po!’. Është e vërtetë që e bëri testin, dhe pastaj unë ia dhash edhe t’i kontrollonte, edhe pse Arbeni nuk ka angazhim këtë vit. I ka kontrolluar dhe të njëjtin (Bekë Kuqin) e ka rrëzuar (nga provimi)”, tregon Hoti për rastin.

Në fakt, Hajrullahu ligjërisht nuk kishte të drejtë ta bënte një gjë të tillë, për shkak se Rektorati ia kishte aprovuar kërkesën e tij për vit të lirë akademik. Por krejt ky shërbim shkon në baza shoqërore.

“Arbeni nuk ka qenë legjitim për këtë punë, por ka qenë vetëm ndihmesë, por dorën e fundit (kontrollimin) ua jap unë, sepse unë jam bartës i lëndës”, shton ai.

Në provimin “Politika botërore”, Hajrullahu  thotë se Bekë Kuqi kishte rënë nga provimi të cilin e kishte vlerësuar Arben Hajrullahu. Por ia kishte mundësuar që brenda afatit ta sillte një punim, dhe kështu ta kalonte provimin.

Këtë praktikë Hoti  thotë ta ketë ndjekur me të gjithë studentët që u ka mbetur vetëm një provim për të diplomuar, me qëllimin që të mos ua humbiste afatin.

“Si parim e kam kur studenti e ka vetëm një provim për të diplomuar, unë ia jap edhe një shans që brenda afatit të pyetet edhe njëherë, apo e bën një punim hulumtues, dhe e pyes rreth punimit”, thotë Hoti.

I pyetur se sa është e mundur që një student ta bëjë një punim të mirë për rreth dy javë, Hoti nuk e vë fare në dilemë një gjë të tillë.

“Studenti i mirë për dy javë apo dhjetë ditë ta bën edhe temën e diplomës”, tha Hoti. Studenti Bekë Kuqi ia sjellë punimin profesorit Hoti dhe e kalon provimin me notën tetë (8).

Insajderi ka kërkuar nga Fakulteti Filozofik edhe qasje në dosjen e studentit Kuqi, por një gjë e tillë nuk është mundësuar./Insajderi.com