Afera e patentë shoferëve, dështon marrëveshja për pranim fajësisë

Afera e patentë shoferëve, dështon marrëveshja për pranim fajësisë

Pasi kanë dështuar negociatat për pranim të fajësisë mes prokurorisë dhe të akuzuarve për korrupsion në rastin e patentë shoferëve, Gëzim Kryeziu dhe Ekrem Zhegrova, janë deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet ekzamineri i Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë, Gëzim Kryeziu, ndërsa për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, po akuzohet zyrtari i “Money Gram”, Ekrem Zhgerova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ibrahim Berisha, dy të akuzuarit në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk e kanë pranuar fajësinë.

Paraprakisht, dy të akuzuarit në seancën e 11 tetorit, kishin kërkuar negocim me prokurorinë për pranim të fajësisë, mirëpo prokurori Ibrahim Berisha, në seancën fillestare të mbajtur të enjten, ka deklaruar se kur ai kishte komunikuar kushtet ligjore, të akuzuarit nuk kishin qenë të gatshëm për të lidhur këtë marrëveshje.

Në këtë seancë, prokurori Berisha bëri edhe plotësimin e dispozitivit të aktakuzës, duke propozuar që të bëhet konfiskimi i përhershëm i sendeve të konfiskuara përkohësisht, përkatësisht për të akuzuarin Kryeziu 1.845 euro, ndërsa për Zhegroven 1.823.50 euro, të cilat mjete gjatë bastisjes së policisë i ishin zënë dy të akuzuarve.

Lidhur me dështimin për lidhjen e kësaj marrëveshje, mbrojtësi i të akuzuarit Kryyeziu, avokati Haxhi Millaku, tha se gatishmëria e të mbrojturit të tij për të pranuar fajësinë në këtë fazë të procedurës, nuk duhet të ndikojë te gjykata, pasi sipas tij, ata do të shfrytëzojnë edhe të drejtën për paraqitjen e kërkesës për hudhje të aktakuzës.

“Meqenëse, ky negocim nuk u realizu, konfrom nenit 233, lidhur me nenin 247 të KPPRK-së, ligjvënësi ka paraparë mundësinë dhe efektet juridike në situatën nëse kjo marrëveshje nuk realizohet. Prandaj, njoftojë gjykatën se konform ligjit ky negocim dhe kjo tentativë e mbrojtjes për lidhjen e kësaj marrëveshje, pas mossuksesit të saj gjykata duhet ta trajtojë si të mos ketë ekzistuar fare, prandaj për çështjen konkrete do të lëshohemi në shqyrtimin kryesor përkatësisht pas mbajtjeve të dy seancave fillestare dhe paraqitjes së mundësive nga mbrojtja për kërkesë për hudhje dhe kundërshtim të provave”, ka thënë avokati Millaku.

Për më tepër, Millaku kërkoi që gjykata të refuzojë kërkesën e paraqitur nga prokuroria për konfiskim të përhershëm të gjësendeve që i ishin gjetur tek i mbrojturi i tij, pasi sipas tij, kjo kërkesë ishte dashur të shqyrtohej gjatë fazës së hetimeve për vërtetimin e saktë të këtyre mjeteve.

Po ashtu, ai i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet edhe masa e arrestit shtëpiak, pasi sipas Millakut, kanë pushuar shkaqet për caktimin dhe vazhdimin e kësaj mase.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Zhegrova, avokati Naim Rudari, tha se e lë të hapur mundësinë që në fazat e mëvonshme të gjejnë ndonjë gjuhë të përbashkët me prokurorinë për negocim të pranimit të fajësisë.

Në lidhje me mjetet e konfiskuara nga i akuzuari Zhegrova, avokati Rudari tha e shuma prej 500 euro kishte buruar nga simulimi i veprës penale, i cili sipas tij, nuk ishte bërë në mënyrë ligjore, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve të konfiskuara tha se kishin prova që dëshmojnë se ato mjete ishin qarkullim ditor që i akuzuari i kishte pasur në “Money Gram”.

Edhe Rudari kërkoi që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, pasi sipas tij, pos që kishin pushuar shkaqet dhe arsyet e caktimit të kësaj mase, nuk ekzistonte asnjë rrezik për pengim të procedurës penale në asnjë formë.

Me propozimin për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për dy të akuzuarit është pajtuar edhe prokurori Berisha, pasi sipas tij, kishin pushuar shkaqet për vazhdimin e kësaj mase, mirëpo lidhur me këtë propozim, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Isuf Makolli tha se do të vendosë me aktvendim të veçantë.

Seanca e shqyrtimi të dytë është caktuar të mbahet më 31 dhjetor 2019, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 7 tetor 2019, ndaj Gëzim Kryeziut dhe Ekrem Zhegrovës, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.

Kryeziu akuzohet se më 18 shtator 2019, rreth orës 11:00, në cilësi të ekzaminerit në Qendër për Patentë të Shoferëve në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën e tij kishte marrë instruksione nga i akuzuari Zhegrova që t’i ndihmonte një kandidates në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, Kryeziu pretendohet se iu kishte ofruar kandidates, duke i treguar me gisht pyetjet e sakta me qëllim që ajo të kalonte provimin në mënyrë të kundërligjshme pa pasur njohuri.

Me këtë ai akuzohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, nga neni 414 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari Zhegrova, akuzohet se sa ishte në cilësi të zyrtarit në “Money Gram”, është takuar me të dëmtuarën Sh.G, e cila kishte për t’iu nënshtruar provimit për patentë shofer, e nga e cila kërkon drejtpërdrejtë 500 euro, me qëllim që asaj t’i ndihmojë për të kaluar provimin, duke i dhënë asaj instruksione që të mos plotësonte pyetjet, sepse do ta ndihmonte një ekzaminer.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo gjë ishte vërtetuar përmes masave të fshehta të aplikuara, e nga to shihej se bëhej fjalë për ekzaminerin Kryeziu.

Me këtë ai akuzohet për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, nga neni 309, i paragrafit 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Ka dy javë që nuk mbahen provimet për patentë shofer – Ekzaminerët pa kontrata pune