
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se zhvendosja e nxënësve nga gjimnazi “Ahmet Gashi” do të bëhet menjëherë, pasi vendimi është marrë në qeshor.
Ahmeti ka thënë se lidhur me këtë Komuna e Prishtinës ka bërë të gjitha veprimet e duhura.
“Pas raportimit të mediave për ngjarjet e djeshme lidhur me gjimnazin “Ahmet Gashi”, për hir të korrektësisë po ju informoj për të gjitha veprimet që janë marrë nga ana e Komunës së Prishtinës lidhur me këtë temë”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se vendimi për zhvendosjen e nxënësve është marrë në qershor.
“Vendimi për dislokimin e përkohshëm të nxënësve është marrë në muajin qershor, mbi raportin e vlerësimit të stabilitetit të ndërtesës, i cili tregon se objekti nuk i plotëson kushtet teknike, statike e seizmike për vazhdimin e mësimit aty dhe se paraqet rrezik potencial për shembje, marrë parasysh se ka dëmtime të thella në shtyllat mbajtëse dhe themelet e shkollës”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti ka deklaruar se është takuar dje me përfaqësuesit e nxënësve dhe mësimdhënësve dhe është vendosur që zhvendosja e nxënësve të bëhet menjëherë.
“Përfundimisht, zhvendosja e nxënësve bëhet menjëherë. Nuk bëjmë kompromise me sigurinë e jetës së fëmijëve tanë”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas një komisioni të cilët e kanë bërë vlerësimin e fizibilitetit të kësaj shkolle, rezulton të jetë rrezik i madh për nxënësit e profesorët që të mbajnë mësim aty. Thuhet se është rrezik që shkolla dita e ditës të shembet.
Mirëpo krejt ndryshe i kishin thënë punëtorët drejtorit të kësaj shkollë Ilmi Reçica. Asokohe sa ishin duke i bërë matjet, drejtori Reçica, tregon për Gazetën Insajderi, se i ishte thënë që kjo shkollë i ka themelet aq të forta sa do t’i qëndrojë kohës. Por, fjalët ndryshuan kur u shkruan në letër./ Insajderi.com